Kosova e lëshon fitoren nga dora
Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll (femrat) ka lëshuar rast të mirë për të arritur fitore në kampionatin evropian, Divizioni B, i cili po mbahet në Lituani.
Vashat e Kosovës pësuan nga Ishujt Faroe me rezultat 23:22. Në fund të ndeshjes Kosova kishte disa aksione për të barazuar rezultatin e pse jo edhe për të kaluar në epërsi, por i mungoi edhe fati. Për dallim nga ndeshja e kaluar, vashat U19 e kanë dhënë maksimumin dhe ishin vazhdimisht të barabarta me lojtaret e Ishujve Faroe.
Kanë ndikuar edhe disa gabime teknike, që ishin dukshëm më të vogla se në ndeshjen e kaluar. Në pjesën e parë Kosova kishte epërsi deri në dy gola, por në fund rezultati ishte 14:13 për Ishujt Faroe. Në pjesën e dytë është luftuar për çdo gol, por në mungesë të fatit nuk kemi shënuar golin e barazimit dhe pësuam me rezultat 23:22. Ishte kjo bindshëm paraqitja më e mirë e Kosovës U19 në evropianin në Lituani.
Me paraqitje të mirë është shquar portierja Leonita Gashi që bëri plot 17 pritje. Shumica e golave janë realizuar nga motrat Rexhepi. Sara i shënoi 9 gola, kurse Rina 8 gola. Tani Kosova i ka edhe dy ndeshje për plasman përfundimtar.