
Kosova e mbyll me barazim e me 9 lojtarë përballjen me Qipron
Përfaqësuesja U17 e Kosovës e ka mbyllur me barazim (0-0) ndeshjen me Qipron, që ishte vendimtare për pozitën e parë në Grupin B4 të Ligës B për kualifikimet e Evropianit 2025.
Ky rezultat i shkoi përshtati qipriotëve, të cilët me 7 pikë e mbyllën grupin në pozitën e parë, që siguron kalimin në Ligën A për edicionin e ardhshëm, derisa Kosova mbeti në pozitën e dytë, me 5 pikë.
Në lojën e “Dardanëve” U17 ndikoi përjashtimi i hershëm i Aldon Osmanit me karton të kuq. Ai u ndëshkua qysh në minutën e 22-të, duke i dhënë përparësi të madhe qipriotëve në vazhdim të lojës. Gjërat për të përzgjedhurit e Arbnor Morinës u vështirësuan edhe më shumë në minutën e 83-të, kur pas kartonit të dytë të verdhë u përjashtua edhe Adonis Hoti.
Mirëpo, përkundër faktit që në minutat e fundit të ndeshjes luajtën me dy lojtarë më pak, “Dardanët” e rinj arritën që së paku ta ruajnë portën të pamposhtur. Kosova në ndeshjen e parë barazoi me Andorrën (0-0), derisa në ndeshjen e dytë e mundi Moldavinë (1-0).