Kosova e meriton liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se votim i së enjtes i Parlamentit Evropian është pjesë e procedurës për ta vazhduar mandatin e vendimit të mëparshëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se ky votim është argument i rikonfirmimit se Kosova ka përmbushur kriteret.
“Nga institucionet evropiane, në veçanti nga Këshilli i Ministrave kemi kërkuar që në mbledhjen e dhjetorit të vlerësojnë punën tonë. Të mos na falin asgjë, por të ketë vlerësim të drejtë. Neve na janë vënë 95 kushte, dyfish më shumë se disa vendeve të tjera. Megjithatë, të gjitha një për një i kemi plotësuar. Pra, e kemi merituar liberalizimin. Ne nuk kemi kërkuar tjetër pos që kemi kërkuar trajtim të barabartë me shtetet të cilat deri më tash e kanë arritur liberalizimin. Përjashtimi ynë nga vlera elementare e BE-së është shumë i padrejtë”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se tani vendimi për liberalizimin e vizave gjendet në duart e vendeve anëtare të Këshillit të Ministrave.
Ministrja e Integrimit ka bërë me dije se pret nga Këshilli i Ministrave të deklarohet për liberalizim pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar se vendimi për heqjen e vizave mund të merret në takimin e radhës në rast se do të ekzistojë klimë pozitive e vendeve veç e veç për këtë çështje.
“Pres që Këshilli i Ministrave të deklarohet për liberalizim, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që mbahen në maj. Pra, pres që kur do të dihet përbërja e re e parlamentit, të krijohet klimë e re brenda Këshillit të Ministrave për ta vendosur në rend dite, sepse nëse propozimi për shqyrtim të çështjes së liberalizimit nuk e disponon shumicën gjatë hartimit të vënies në rend dite, atëherë as nuk aprovohet. Nëse do të ekzistojë klimë pozitive e vendeve veç e veç për këtë çështje, atëherë edhe mund të realizohet, pra e gjitha varet nga vendet anëtare”, ka theksuar ajo, duke shtuar se deri në mbajtjen e këtij takimi do të punohet me vendet hezituese për t’i bindur me të arriturat e Kosovës.
“Epoka e re”: Znj. Hoxha, Parlamenti Evropian (PE) të enjten ka votuar në favor të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën. Si e komentoni këtë veprim dhe çfarë do të thotë ky votim për Kosovën?
Hoxha: E enjtja ishte ditë kur shumica e eurodeputetëve, 331 nga 469 të pranishëm në Parlamentin Evropian, votuan pro liberalizimit. Është argument i rikonfirmimit të punës së institucioneve tona për kriteret e përmbushura që para një viti. Ky votim është pjesë e procedurës për ta vazhduar mandatin e vendimit të mëparshëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ishte raport i raportueses Tanja Fajon ngaqë mandati i këtij procesi duhet të vazhdojë edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në muajin maj. Ne nga institucionet evropiane, në veçanti nga Këshilli i Ministrave, kemi kërkuar që për mbledhjen e dhjetorit ta vlerësojnë punën tonë. Të mos na falin asgjë, por të ketë vlerësim të drejtë. Neve na janë vënë 95 kushte, dyfish më shumë se disa vendeve të tjera. Megjithatë, të gjitha një për një i kemi plotësuar. Pra, e kemi merituar liberalizimin. Ne nuk kemi kërkuar tjetër pos që kemi kërkuar trajtim të barabartë me shtetet të cilat deri më tash e kanë arritur liberalizimin. Përjashtimi ynë nga vlera elementare e BE-së është shumë i padrejtë.
“Epoka e re”: Pas këtij votimi PE-ja dhe raportuesja e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, kanë inkurajuar Këshillin Evropian që të veprojë. Në fakt, a prisni që Këshilli i Ministrave të BE-së në takimin e radhës të marrë vendim pozitiv për Kosovën dhe këtë vit të ndodhë liberalizimi?
Hoxha: Po, çështja e liberalizimit mbetet çështje e hapur ende, por me konfirmim se të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi janë kryer, pra rikonfirmohet nga instancat e deritashme se tashmë vendimi sërish gjendet në duart e vendeve anëtare të Këshillit të Ministrave. E shohim si vendim politik i lidhur me situatën e brendshme politike të vendeve të caktuara si dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Pres që Këshilli i Ministrave të deklarohet për liberalizim, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që mbahen në maj. Pra, pres që kur do të dihet përbërja e re e parlamentit, të krijohet klimë e re brenda Këshillit të Ministrave për ta vendosur në rend dite sepse, nëse propozimi për shqyrtim të çështjes së liberalizimit nuk e disponon shumicën gjatë hartimit të vënies në rend dite, atëherë as nuk aprovohet. Nëse do të ekzistojë klimë pozitive e vendeve veç e veç për këtë çështje, atëherë edhe mund të realizohet, pra e gjitha varet nga vendet anëtare.
“Epoka e re”: Tani fokusi i shtetit të Kosovës duhet të mbetet te puna individuale me shtetet anëtare. Çfarë do të bëni në këtë drejtim për të pasur sukses?
Hoxha: Njohja e shteteve hezituese me të arriturat tona është prioritet. Por, kur themi hezituese, nuk ka të bëj me qasjen e atyre vendeve ndaj pavarësisë tonë, sepse disa vende që kanë dhënë argumente të duken hezituese, janë njëkohësisht përkrahëset më të fuqishme të pavarësisë sonë. Çështja e hezitimit të tyre ndaj liberalizimit nuk ka qenë e lidhur me punën tonë sepse puna jonë ishte e dukshme se është kryer, por ishte e lidhur me çështjet e brendshme të tyre, zgjedhjet e brendshme në ato vende apo rritje e disponimit kundër emigracionit brenda atyre vendeve. Zbatimi i MSA-së, agjenda e reformave evropiane, reformat ekonomike, fuqizimi i sundimit të ligjit, suksesi ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është punë jona ditore, e matshme dhe e qasshme brenda dikastereve përgjegjëse.
“Epoka e re”: Në këtë drejtim a mund të paraqesë problem çështja e taksës dhe dialogu?
Hoxha: Deri më tani në takime zyrtare dhe jozyrtare nuk kemi pasur sinjalizime të tilla ngaqë rruga jonë në proces ka qenë e lidhur ngushtë me udhërrëfyesin për liberalizim dhe kriteret e definuara qartë të realizuara nga Republika e Kosovës. Nuk ka pengesë shtesë ndaj Kosovës për liberalizim. Nuk ka probleme të reja në këtë drejtim, por duhet vështruar realisht. Kosova, vendi i vetëm në Evropë me kufizim në lëvizjen e lirë, është vërtet frustruese. Kontributi i secilit vend me vlerat e veta përbën tërësinë për të cilën zotohet secili shtet sovran, me vullnet të bëhet pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane. Që Kosova ka pengesa, është realitet i hidhur. Ne e dimë kontributin e secilit vend që Kosova të arrijë deri këtu. Ne jemi mirënjohës, por edhe ne me vlerat integruese duhet të jemi pjesë e motos së bashkuar me diversitet.
“Epoka e re”: Ministre, më 1 prill bëhen tri vjet prej që ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA). Sa ka arritur të zbatohet kjo marrëveshje dhe cilat janë sfidat kryesore të këtij procesi?
Hoxha: Marrëdhënia e parë kontraktuale, Kosovë – BE, është MSA-ja. Është marrëveshje ndërkombëtare, prandaj mund ta vlerësojmë nivelin e zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) gjatë këtyre tri vjetëve. Sipas nivelit të zbatimit të PKZMSA-së, gjatë këtyre tri vjetëve është si vijon: viti 2016 – 55.46 për qind ose 762 nga 1 374 masa afatshkurtra të planifikuara; viti 2017 – 62.05 për qind ose 600 nga 967 masa afatshkurtra të planifikuara si dhe gjatë vitit 2018: 68.23 për qind ose 363 nga 532 masa afatshkurtra të planifikuara. Për këto tri vjet janë nënshkruar dhe janë në fuqi mbi 131 marrëveshje ndërkombëtare, kemi rritje të eksportit të produkteve kosovare në BE, të investimeve të huaja, rritje të vëllimit të të hyrave tatimore, rritje të numrit të bizneseve të reja, përparim në rritjen e klimës së të bërit biznes, anëtarësim dhe qasje në programet e BE-së si COSME, Erasmus +, Evropa kreative dhe Evropa për qytetarët.
Shqipe HETEMI