Kosova e motivuar, kërkon fitore sonte ndaj Islandës

20 shkurt 2020 | 11:01

Kosova me trajnerin e ri Christos Marmarinos është e motivuar maksimalisht për të shënuar fitore sonte (e enjte) ndaj Islandës në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Ndeshja zhvillohet në Prishtinë nga ora 19:00.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të mërkurën e ka zhvilluar stërvitjen e fundit për ndeshjen parakualifikuese për Botërorin 2023 kundër Islandës, e cila zhvillohet sonte (e enjte) nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. “Dardanët” janë të motivuar për suksese në ndeshjen ndaj islandezëve, e cila ka rëndësi të madhe për të dy skuadrat përfaqësuese.

Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Granit Rugova, ka konfirmuar se basketbollistët janë të motivuar dhe të përgatitur për këtë ndeshje. “Basketbollistët janë shumë të motivuar për ndeshjen ndaj Islandës. Kemi pasur tri ditë intensive me stërvitje dhe jemi të gatshëm për ndeshjen e së enjtes. Besoj se edhe me ndihmën e ‘dardanëve’ dhe tifozëve do t’ia dalim në këtë takim përballë Islandës, që ka shumë lojtarë cilësorë, megjithatë lojtarët do ta japin maksimumin në fushë”, ka thënë Rugova, i cili më pas ka konfirmuar dy mungesa të rëndësishme në formacionin e Kosovës: Lis Shoshi dhe Alban Veseli.

Kosovën për herë të parë ndaj Islandës e drejton përzgjedhësi Christos Marmarinos, i cili pak ditë më parë më shumë entuziazëm e mori detyrën e re. “Basketbollistët kanë dhënë gjithçka në stërvitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Është e rëndësishme që të gjithë ta japin më të mirën nga vetja. Deri më tani jam shumë i kënaqur. Duam të përfaqësojmë sa më mirë Kosovën në garat ndërkombëtare”, ka deklaruar Marmarinos.

Optimist është shfaqur edhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha. Basketbollisti që është rikthyer në skuadrën e Pejës ka kërkuar përkrahje nga tifozët për faktin se është me lehtë të arrihet deri te suksesi. “Motivi është i madh në ekipin tonë dhe atmosfera shumë e mirë. Kemi pasur stërvitje intensive në këto tri ditë. Shpresoj se palestra do të jetë e mbushur me tifozë, sepse ky është një motiv për lojtarët në fushë. Ne duam të kemi rezultate sa më pozitive dhe me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalim”, ka thënë Berisha. Pas ndeshjes me Islandën, Kosova më 23 shkurt përballet me Luksemburgun.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, shpejt do ta…