Kosova e palëkundur krah aleatëve në mbështetje të Ukrainës
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjatë periudhës dyvjeçare në të cilën po luftohet në Ukrainë, Kosova ka mbetur e palëkundur krah aleatëve të saj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike perëndimore.
Kurti ka kujtuar se sot u bënë dy vite prej kur Rusia e sulmoi ushtarakisht Ukrainën duke e shkelur integritetin territorial dhe pavarësinë e saj si dhe duke i dhunuar liritë e të drejtat e popullit ukrainas.
“Qysh atë ditë, nëpërmjet një deklarate publike, Republika e Kosovës dhe populli i saj e pati dënuar agresionin ushtarak rus dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse. Republika e Kosovës ka qenë një nga shtetet e para që u është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve politike, ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas agresionit të saj mbi Ukrainën, dhe i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën, e cila shprehë mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për t’i mbrojtur institucionet e saj demokratike nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë me të”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës vazhdon të mbështesë duke financuar një program të veçantë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për strehimin e një grupi gazetarësh ukrainas të larguar nga Ukraina për shkak të luftës, të cilët janë akomoduar në vendin tonë.
Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës është një nga 54 shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të udhëhequr nga ShBA-ja, në kuadër të të cilit në takime të rregullta, marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes i Kosovës dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga 18 janari i këtij viti, një kontigjent ushtarak i përbërë nga instruktorë të FSK-së ka shkuar në Mbretërinë e Bashkuar ku bashkë me Forcat e Armatosura Britanike, për gjashtë muaj do të trajnojnë trupa ushtarake të Ukrainës në kuadër të operacionit “Interflex”.
“Në dyvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, Republika e Kosovës është e pozicionuar drejt dhe do të vazhdojë të qëndrojë kështu krah aleatëve të saj dhe veçanërisht ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në rrugën për ta mbështetur dhe ndihmuar popullin dhe shtetin ukrainas për ta mbrojtur territorin dhe pavarësinë e Ukrainës në luftën e drejtë përballë agresionit rus. Duke e mbështetur dhe ndihmuar Ukrainën, bashkë me vendet e botës demokratike e mbështesim lirinë e popujve tanë, pavarësinë dhe pacënueshmërinë e shteteve tona si dhe vlerat demokratike”, ka nënvizuar Kurti.
Kryeministri ka thënë se agresioni rus dhe lufta në Ukrainë, u ka dhënë guxim shteteve autoritare në rajon, me pretendime hegjemoniste ndaj fqinjëve.
“Por ashtu siç nga ajo anë kanë marrë guxim, nga ana jonë dhe e aleatëve tanë kanë marrë shembull, prej reagimeve profesionale dhe vigjilencës së strukturave të sigurisë së Kosovës të mbështetura nga aleatët e saj. Me trimërinë e popullit dhe ushtarëve të saj si dhe me përkrahjen e aleatëve nga bota demokratike, Ukraina duhet të ngadhënjejë mbi ushtrinë ruse dhe agresionin e Rusisë në territorin saj. Rusia si shtet dhe presidenti despotik i saj Putin, duhet të përgjigjen para gjykatave ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rusia duhet luftuar, dhe Ukraina duhet ndihmuar, deri në fitore. Fitore Ukrainës!”, ka përfunduar Kurti.