Kosova, e para në listën e vatrave më të rrezikshme të krizës për vitin 2023
Rrjeti editorial i Gjermanisë (RND) e ka përfshirë Kosovën në mesin e shtatë vatrave më të rrezikshme të krizës në vitin 2023.
RND-ja ka treguar se është e qartë se lufta është kthyer në Evropë dhe se të gjithë mund ta shohin këtë përmes agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ky rrjet ka theksuar se në vitin e ri, konfliktet kërcënojnë nga Kosova e deri në Lindjen e Mesme.
“Rreziku që vatrat e krizës të shndërrohen në konflikte të armatosura është rritur, sepse nën hijen e agresionit rus, vërehet se marrëdhëniet mes palëve në konflikt po përkeqësohen. Pragu i dhunës ushtarake është ulur, gjë që tregohet nga loja muskulore e Kinës ndaj Tajvanit, apo veprimi ndëshkues i Erdoganit në zonat kurde siriane. Bota po shikon Ukrainën dhe duket se luftënxitësit në mbarë botën po e gabojnë këtë si një ftesë për të treguar muskujt e tyre”, është thënë në raportin e RND-së.
Në vendin e parë në listën e shtatë vatrave të krizës, që RND-ja pret të pushtojë botën në vitin 2023 është Kosova.
Situata në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është tejet shpërthyese, është thënë në grupin mediatik.
RND-ja ka raportuar se mediat lokale kanë raportuar shpërthime, të shtëna dhe bllokada rrugësh që nga mesi i dhjetorit.
Lidhur me këtë, RND-ja ka theksuar se persona të maskuar mund të shiheshin në barrikada më 11 dhjetor, duke bllokuar rrugët më të rëndësishme rrugore për në Serbinë qendrore.
Ky rrjet ka raportuar se EULEX-i ka njoftuar se patrulla e tij ishte sulmuar me një bombë trullosëse.
Gjithashtu, RND-ja ka raportuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë, të cilin qeveria e Kosovës e konsideron si provokim agresiv.
RND-ja ka rikujtuar se sipas Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999, Serbia ka pranuar tërheqjen e të gjitha forcave të sigurisë nga Kosova, sepse vetëm kështu mund të vendoset paqja.
“Kërkesa e Vuçiqit për forcat e sigurisë është konsideruar si retorikë lufte nga Kosova. Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, e ka cilësuar në Twitter një kërkesë të tillë si krejt të papranueshme”, ka rikujtuar RND-ja.
Për integrimin e serbëve, kryesisht në veri, në strukturat e Kosovës është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit dhe, siç ka shkruar RND-ja, me mbështetjen e qeverisë serbe në Beograd, “qarqet nacionaliste serbe në Kosovë po bëjnë gjithçka për ta parandaluar atë edhe me dhunë”.
“Tani në veri po ndërtohen sërish institucione paralele, të cilat sipas marrëveshjes së Brukselit duhet të shpërbëhen. Qeveria nacionaliste serbe nën presidentin Vuçiq, me mbështetjen e Rusisë, inkurajohet të rishikojë rezultatin e luftës së humbur në 1999. Vuçiq pretendon se serbët në Kosovë janë të shtypur dhe se ka plane për t’i dëbuar nga Kosova, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron bashkëpunim me serbët dhe Evropa po përpiqet të bëjë presion mbi kandidatin për anëtarësim., pra Serbisë”, është thënë në raportin e RND-së.
Si vatrat e mëtejshme të krizës për vitin 2023, RND-ja ka rendur konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Turqisë dhe Greqisë, Kinës dhe Tajvanit, Bosnje dhe Hercegovinës, Rusisë dhe Kazakistanit, Kinës dhe Indisë.