Kosova e përçarë për hapjen e bisedimeve me Serbinë dhe thelbin e marrëveshjes përfundimtare

09 qershor 2020 | 16:55

Prof. Lisen Bashkurti

Kosova po përjeton një situatë të vështirë politike, diplomatike, institucionale, ekonomike dhe sociale kohët e fundit. Madje, edhe mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të fund-majit 2020 për krijimin e Qeverisë Hoti, vendi duket se po ri-futet në një cikël të ri krize shumë më komplekse. Epiqendra e krizës është hapja e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Palët politike në Kosovë kanë qasje të ndryshme për hapjen e negociatave. Në parim, të gjithë në Kosovë janë pro negociatave, si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Polemika politike në Kosovë është e lidhur, së pari me procedurat e hapjes së këtyre negociatave, së dyti, me përmbajtjen e tyre, së treti, me ndërmjetësuesit ndërkombëtar dhe, së katërti, me shpejtësinë e realizimit të marrëveshjes. Më dy të parat do merremi në këtë shkrim. Me dy të dytat do merremi me një shkrim tjetër pasues.

 

  1. Procedura e hapjes së bisedimeve

 

Në bisedimet, dialogun dhe negociatat diplomatike procedurat kanë rëndësi të veçantë. Lidhur me procedurën për hapjen e negociatave, tre qeveritë e fundit në Kosovë kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për hapjen e negociatave, krahasuar me qeveritë e mëparshme. Qeveria e AAK-së me kryeministrin Haradinaj aplikoi tarifën 100 për qind të mallrave Serbe, si kundër reagim për hapjen e negociatave. Kjo bllokoi procedurën e hapjes së negociatave. Qeveria e LV-së me kryeministrin Kurti hoqi tarifën e Qeverisë Haradinaj dhe vendosi masën e reciprocitetit, edhe kjo sërish si reagim për hapjen e negociatave. Edhe kjo masë vijoi të mbante të bllokuara procedurën e hapjes së negociatave me Serbinë. Qeveria e LDK me kryeministrin Hoti po ndjek qasjen e heqjes së të gjitha barrierave të të dy qeverive paraardhëse, si të tarifës së z. Haradinaj, ashtu edhe atë të reciprocitetit, të z. Kurti, me qëllim procedimin për hapjen e negociatave me Serbinë. Shkak kësaj inkoherence dhe përplasjeje qeveritare në Kosovë është presidentit Thaçi, cili që në krye të herës ka insistuar për heqjen në mënyrë të pakushtëzuar të çdo barriere që, sipas qasjes së tij dhe të Serbisë, por jo vetëm, pengon hapjen e negociatave. Tani Kosova i ka hequr gjithë të ashtuquajturat pengesa për hapjen e dialogut me Serbinë, ose më saktë i është nënshtruar kushteve të Serbisë. Është koha të presim reagimin e Beogradit, i cili ka zgjedhjet politike të 21 qershorit 2020. Pra, gjithçka do ngelet për më vonë. Zgjedhjet, konstituimi i organeve të reja postzgjedhore, përballimi i Covid-19 dhe i verës së nxehtë, dakordësimi me ndërmjetësuesit  ndërkombëtar dhe më tej hapja e negociatave me Kosovën. Duket se do jetë sërish Beogradi që do vendosë për kohën e hapjes së negociatave, pa kurrfarë dakordësimi me Kosovën.

Kosova lypet të jetë gati me draft-agjendën, strategjinë, parimet bazë, prioritetet, taktikat negociuese, skenarët e mundshme, ekipin negociator, ekipet e ekspertëve mbështetës, ndarjen e roleve brenda ekipit, mandatimin e liderit dhe opsionet finale më të pranueshme të marrëveshjes. Një pjesë e këtyre elementëve duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës, maksimalisht me konsensus, minimalisht me një bazë sa më të gjerë politike. Pjesa tjetër i ngelet ekipit negociator për t’i vendosur konfidencialisht dhe në proces e sipër.

 

  1. Thelbi i përmbajtjes së bisedimeve

 

Në bisedime, dialog dhe negociata diplomatike përmbajtja është çështja themelore. Lidhur me përmbajtjen e negociatave polemika politike në Kosovë është edhe më e thellë, përçarja edhe më e madhe. Në epiqendër të polemikës dhe përçarjes qëndron qasja ndaj cenimit të territorialitetit të Shtetit të Kosovës në dobi të Serbisë. Edhe këtë aspekt të krizës brenda Kosovës përgjegjës kryesorë është presidenti Thaçi. Ish-kryeministri Thaçi, që kaloi më pas në pozitën e presidentit,

përgjatë bisedimeve lejoi devijime të shumta proceduariale dhe përmbajtësore. Thaçi tejkaloi karakterin teknik të bisedimeve dhe hyri pa mandat në çështje politike; negocioi për aspekte të panegociueshme konstitucionalisht, siç është pacënueshmëria e territorialitetit të Kosovës; nuk bëri raportim dhe transparencë si autoritet negociues përpara Kuvendit të Kosovës; zhvilloi bisedimeve personale sekrete me palën serbe; si dhe transferoi autoritetin kryesor negociues të palës kosovare, nga qeveria, të cilën e ngarkon Kushtetuta dhe rezoluta e Kuvendit e

vitit 2012, tek presidenti, pra tek vetvetja, që nuk ka autoritet kushtetues dhe as mandat parlamentar për kryesimin e negociatave në emër të Kosovës. Këto devijime nga Kushtetuta dhe rezoluta e vitit 2012 të Kuvendit të Kosovës janë përgjegjësi e presidentit Thaçi’, i cili është bërë objekt kryesor i polemikave në Kosovë.

Polemikat polarizuan politikën dhe institucionet, sollën ndryshime qeveritare të një pas njëshme dhe bllokuan nga viti 2018 bisedimet formale me Serbinë.

Është presidenti Thaçi i cili, gjatë bisedimeve sekrete personale me Serbinë, pa autoritet kushtetues dhe pa mandat të rezolutës së Kuvendit të Kosovës të vitit 2012, negocioi integritetin territorial i Kosovës.

Presidenti Thaçi duket që ka pranuar versionin Serb të Presidentit Vuçiq, në bashkëpunim edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Rama për ‘shkëmbimin territorial’, i cili në thelb ka të bëjë me copëtimin e Kosovës. Presidenti Thaci është përpjekur dhe përpiqet që të paraqesë ‘shkëmbimet territoriale’ si çështje ‘shkëmbimesh reciproke’ midis Kosovës dhe Serbisë.

Në fakt nuk është kështu. Plani Vuçiq-Thaçi-Rama i heq Kosovës rreth 15 për qind të territorit të saj dhe kjo, e konvertuar në tregues ekonomik, është afro 25 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të Kosovës. Këtu kihet parasysh se territoret e parapara për t’i kaluar Serbisë janë më të pasurat me lëndë të para, burime ujore dhe vlera natyrore. Me këto lëshime territoriale dhe ekonomike Kosova rrezikon të humbasë ekulibrin e viabilitetit mbijetues ekonomik dhe të shndërrohet në një ekonomi me profil fermë agro-blegtorale. Një Kosovë e copëtuar dhe e varfër është lehtësisht e thyeshme dhe e nënshtrueshme dhe, si e tillë, ka qenë dhe mbetet strategji e Serbisë.

Ky opsion Serb i dakordësuar nga presidentit Thaçi është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e faktorit politik në Kosovë, si LV-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma, nga opinioni publik, media, shoqëria civile, akademikët si dhe faktorë të fuqishëm ndërkombëtar si BE, Gjermani, Francë, Britani, vendet e Ballkanit Perëndimorë, fqinjët rreth Kosovës e Serbisë si dhe personalitete të shquara të diplomacisë shqiptare, evropiane dhe amerikane.

Projekti Vuçiq-Thaçi-Rama me ndikues të tjerë gjeopolitik dhe diplomatik mbas tyre thuhet të jetë varrosur. Por, unë nuk mendoj kështu. Ideja e këtij plani është sërish gjallë. Sa kohë ideja është gjallë, rreziku mbetet i lartë për Kosovën, sikundër edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Kamenicës është pajtuar në parim për nënshkrimin e…