Kosova e përkushtuar të ruaj stabilitetin makroekonomik dhe makrofinanciar
“Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar është i rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit financiar”, kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit me përfaqësuesit e FMN-së, të kryesuar nga shefja e këtij misioni në vend, Stephanie Eble.
Kryeministri Haradinaj ka shprehur përkushtimin dhe gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Kosovës, për të forcuar bashkëpunimin me FMN-në dhe institucionet tjera relevante ndërkombëtare.
“Me Fondin Monetar Ndërkombëtar vazhdojmë të ruajmë raporte të mira në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së parametrave financiarë. Ne jemi të interesuar të respektojmë rregullat fiskale në të mirë të qëndrueshmërisë makroekonomike dhe makrofiskale”, ka thënë Haradinaj.
Shefja për Kosovë e FMN-së, Stephanie Eble, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë në rritjen ekonomike prej 4.4 për qind, duke inkurajuar Qeverinë që të ruaj stabilitetin makroekonomik dhe makro fiskal, si dhe nevojën për kujdes me kostot buxhetore, që vendi mund t’i ketë nga vënia në zbatim e ligjeve të reja.
/Epoka e re/