Kosova e Shqipëria me marrëveshje për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike
Pas një pune intensive dhe një bashkëpunimi efikas ndërmjet Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë OST, në Tiranë u nënshkrua marrëveshja e themelimit të Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK).
Operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektroenergjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve.
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar, në dijeni të ENTSO-E, me pëlqimin e dy rregullatorëve nacionalë të energjisë ZRrE (Kosovë) dhe ERE (Shqipëri).
Kjo marrëveshje është parakusht për operimin e pavarur të KOSTT-it dhe parashihet të hyjë në fuqi në prill 2020, pas nënshkrimit dhe fillimit të implementimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.
Marrëveshja është po ashtu në përputhje me kërkesat e reja të Kodit të Rrjetit të ENTSO-E që ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit të OST-ve (Operatorët e Sistemit të Transmetimit) në funksion të operimit të sigurt të Sistemeve Energjetike si dhe minimizimit të kostove të operimit.
Me këtë, fillon bashkëpunimi i parë konkret i shkëmbimit të rezervave në kuadër të dy tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri me synimin e mëtejmë për jetësimin e Bursës së përbashkët të energjisë (APEX) në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e bursës që do të themelohet së shpejti.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir M. Shala theksoi se kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT-in.
“Meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe tani me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST (Shqipëri) dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe EMS dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST Shqipëri, ku me implementimin e kësaj marrëveshje rritet dhe ganatohet siguria e operimit dhe balancimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, sipas standardeve të kërkauara nga ENTSO-E”, ka thënë ai.
Skerdi Drenova, administratori i përgjithshëm i OST theksoi se krijimi i Bllokut të Kontrollit “OST-KOSTT” garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut.