Kosova e Shqipëria me tri marrëveshje të përbashkëta në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit

24 prill 2020 | 16:56

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë me dije se sot kanë përfunduar edhe tri marrëveshje shumë të rëndësishme me Republikën e Kosovës në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit evropian.

“Me ministrin e Integrimit Evropian, z. Blerim Reka, kemi mbyllur marrëveshjen për të shkëmbyer përvojat dhe ekspertizën në çështje të organizimit të strukturave përgjegjëse për integrim, procesit të përafrimit të legjislacionit dhe bashkëpunim më të përgjithshëm politik në kuadër të synimit për anëtarësim në BE. Tani e tutje, dy ministritë çdo vit do të organizojnë edhe konferencën e përbashkët për diskutim e shtjellim të shumë çështjeve që lidhen me integrimin evropian”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, ndërkaq, kemi mbyllur marrëveshjen për fuqizimin e diplomacisë publike, mes të tjerash, duke unifikuar plotësisht kalendarin e aktiviteteve kulturore dhe përcaktuar një plan konkret për promovimin e imazhit dhe prodhimeve të dy vendeve. Gjithsesi, shumë me rëndësi mbetet marrëveshja për një varg angazhimedh në fushën e politikës së jashtme që, gjithashtu, përfshinë edhe krijimin e një skuadre me përfaqësues specialë për mbrojtjen e lartësimin e interesave të dy vendeve”.

Po ashtu, Cakaj ka bërë me dije se nëpërmjet një letre zyrtare, i ka kërkuar pëlqimin Konjufcës për të vazhduar projektin e zhvillimit të Ambasadave dhe Konsullatave me hapësira të përbashkëta.

“Pavarësisht pandemisë, puna jonë nuk është ndalur dhe përkushtimi ynë për maksimizim të bashkëpunimit me Kosovën është i patjetërsueshëm”, ka shkruar Cakaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti ka ngushëlluar familjen…