Kosova e Turqia pajtohen për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mjedisit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, me të cilin ka biseduar për investimet e shtetit turk dhe bashkëpunimin në fushën e mjedisit.
Me këtë rast, ministri Matoshi, ka thënë se Turqia mbetet një partner serioz dhe një shtet i rëndësishëm për Kosovën si në investime ekonomike ashtu edhe në fushën e mjedisit.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me shtetin e Turqisë sa i përket fushës së mjedisit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë një sërë masash teknike dhe ligjore për përmirësimin e ambientit”, ka deklaruar Matoshi.
Ministri Matoshi dhe ambasadori Sakar, kanë diskutuar edhe për iniciativën e fundit të MMPH-së për rregullimin e përdorimit të qeseve të plastikës, shisheve të plastikës dhe kënaçeve.
“Çështja e përdorimit të qeseve të plastikës dhe shisheve duhet të rregullohet sepse hedhja e tyre vend e pa vend nuk po jep një pamje të mirë për shtetin tonë”, ka theksuar Matoshi.
Ndërsa ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të mbështetur Kosovën në fushën e mjedisit.
“Qeveria ime është e interesuar të vazhdojë ndihmën për Kosovën. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju dhe të gjejmë rrugën e duhur për investime në fushën e mjedisit”, ka deklaruar ambasadori Sakar.
/Epoka e re/