Kosova e zhvillon sot ndeshjen e parë në Botërorin U18
Çdo gjë është gati për Kampionatin e dhjetë Botëror për hendbollistet e reja (U18) që do të mbahet në Chuzhou të Kinës prej sot e deri më 25 gusht.
Pjesë e kësaj ngjarjeje globale është edhe Kombëtarja e Kosovës, e kualifikuar përmes IHF Trophy.
Gjithsej janë tetë grupe me nga katër ekipe kombëtare. Kosova U18 është në Grupin D së bashku me Francën, Brazilin dhe Indinë.
Ndeshjet do të zhvillohen në tri arena të ndryshme: Chuzhou International Handball Hall (me kapacitet prej 7000 vende), Chuzhou Olympic Sports Center (6488) dhe Chuzhou Vocational and Technical College Stadium (3600).
Sot, më 14 gusht, vajzat tona luajnë ndaj Brazilit. Ndeshja zhvillohet nga ora 16:00 në arenën me 3600 ulëse.
Të enjten është ndeshja Kosova – Franca, sërish nga ora 16:00. Ndërkohë të shtunën e ardhshme nga ora 14:00 është ndeshja India – Kosova.
Më pas janë edhe ndeshjet për plasman.
Grupi është shumë sfidues, por Kombëtarja U18 ka bërë përgatitjet e duhura për paraqitje sa më të denjë në Botëror.
Paraqitja në Botërorin në Kinë është sukses tjetër historik i Federatës së Hendbollit të Kosovës.