Kosova ende pa ciceronë apo udhërrëfyes turistikë të licencuar
Në mënyrë që të mos shtrembërohet historia, kultura e traditat e vendit, institucionet relevante duhet të licencojnë udhërrëfyes apo ciceronë turistikë.
Për shkak të moslicencimit të tyre, turistët e huaj po mundohen ta mësojnë historinë e Kosovës në mënyra të ndryshme.
Kështu i kanë thënë “Radio Kosovës”, përfaqësues të Shoqatës së Turizmit dhe Unionit të Turizmit.
Kosova nuk ka ciceronë apo udhërrëfyes turistikë të licencuar.
Kjo po përbën shqetësim për shtrembërim të fakteve, interpretime të ndryshme të traditave e kulturave të vendit.
Kështu ka thënë Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, i cili konsideron që sa më parë institucionet duhet të bëjnë licencimin e udhërrëfyesve të cilët janë të trajnuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.
“Ne kemi pasur takim me institucionet relevante dhe e kemi shprehur si shqetësim dhe kemi kërkuar urgjentisht që sa më shpejt të krijohet ekipi dhe komisioni që të bëjë hartimin e këtyre politikave dhe të bëjë licencimin e ciceronëve. Ne kemi persona që janë të trajnuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, por nuk janë të licencuar nga institucionet. Kërkohet sa më shpejt të bëhet kjo me qëllim që çdo grup që vjen, të ketë mundësi që t’i marrë këta ciceronë në shërbim dhe të mos sjellë ciceronë nga shtetet e tyre kur dihet se ata pastaj e interpretojnë qoftë historinë, kulturën traditën ashtu siç ata dëshirojnë”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, po ashtu ai tha se ciceronët që vijnë nga shtete të tjera nuk mund ta interpretojnë historinë e Kosovës ashtu siç është.
Ai ka thënë se ka pasur raste kur ciceronë nga Maqedonia e nga Serbia kanë interpretuar ndryshe historinë e Kosovës.
“Kosova nuk ka ciceronë akoma të licencuar të cilët do ta kishin obligim që turistëve që vijnë në Kosovë t’ua shpjegojnë historinë e trashëgiminë kulturore të Kosovës, por kjo bëhet shpeshherë nga ciceronë të Maqedonisë apo të Serbisë apo edhe nga vende të tjera. Prandaj duhet pasur kujdes sepse shtrembërohet historia e vendit por edhe te pjesa e religjionit. Ne e dimë që kishat në Prizren kanë qenë kisha katolike shqiptare, e ciceronët serbë e maqedonas thonë se janë kisha serbe. Kjo realisht nuk është e vërtetë”, është shprehur ai.
Vendet e tjera e kanë të rregulluar me ligj punën e ciceronëve.
Në Shqipëri në rastin kur një shtetas i huaj do të ushtrojë profesionin e udhërrëfyesit turistik, përveç përmbushjes së kritereve të përcaktuara me ligj, ai duhet edhe të jetë rezident, për jo më pak se një vit, dhe të ketë njohuri bazë të gjuhës shqipe.