Kosova ende pa muzeun e krimeve të luftës, dëshmi të shumta rrezikojnë të harrohen

07 mars 2021 | 10:44

Mijëra civil të vrarë, masakra, keqtrajtime e dhunime u bënë ndaj civilëve shqiptar nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Dëshmi të shumta që tregojnë tmerrin që përjetuan shqiptarët rrezikojnë të mbesin në harresë.

Krejt kjo për shkak se shteti i Kosovës nuk ka punuar në dokumentimin dhe arkivimin e të dhënave që tregojnë për gjenocidin e Serbinë në Kosovë, përfshirë këtu hapjen e një muzeu që dëshmon krimet e luftës.

Profesorë, historianë e njohës të këtyre ngjarjeve thonë se moskrijimi i një muzeu të tillë përveç që tregon mos-respekt për sakrificën e të rënëve, rrezikon edhe kujtesën kolektive rreth ngjarjeve që tronditën vendin dy dekada më parë.

Ani pse ka pasur diskutime për krijimin e një muzeu të tillë, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, në Ministrinë e Kulturës, nuk është përgjigjur në pyetjet se ku ka mbetur ky proces.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë për KosovaPress, se është për keqardhje që institucionet shtetërore të Kosovës nuk kanë krijuar një arkiv të madhe që do të përmbante të dhënat e të gjitha ndodhive gjatë luftës së fundit.

Derisa për mungesën e një muzeu që dëshmon krimet e luftës, thotë se mund të krijojë problem në kujtesën kolektive.

“Definitivisht mungesa e një muzeu të përgjithshëm që kish me trajtu të kaluarën është një problem i madh, në rend të parë edhe në kujtesën kolektive tonën si shoqëri, ku edhe gjeneratat e reja do ta vizitonin dhe do të mësonin mbi të kalurën, mirëpo është e rëndësishëm gjithashtu për vizitorët apo turistët e huaj që vinë në Kosovë, sigurisht që ata kanë dëgjuar që ka ndodh një luftë e tmerrshëm këtu, mirëpo kur i interesohen se ku mund të mësojnë diçka më shumë për këtë luftë në fakt nuk ekziston një adresë e vetme”, thotë ai.

Sipas tij, problem është edhe fakti që shteti nuk ka të dhëna të sakta mbi dëmtimet që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë gjatë luftës, ato ekonomike dhe të objekteve të ndryshme.

E historiani Memli Sh. Krasniqi thotë një muze i tillë është i rëndësishëm për dëshmimin e krimit që është kryer nga forcat serbe ndaj popullit të Kosovës, pastaj për informimin e gjeneratave të reja.

“Në një anë dëshmon për krimet serbe, në anën tjetër ndihmon në kujtesën kolektive të shqiptareve që mos të harrohet, jo me qëllim që të mbjellët ndonjë ndjenjë e hakmarrjes por jo edhe harresës, për të kujtuar dëmet dhe krimet e rënda që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë… Ndërsa çdo vonesë ose shtyrje e kohës deri në hapjen e muzeve ka pasoja sepse shumë mbetje materiale ose janë shkatërruar ose nuk mund të gjenden veshmbathje që shkatërrohen, ose fotografi mund të humbin që nuk janë dixhitalizuar, gjithashtu edhe incizimet që nuk janë dixhitalizuar mund të humbin, me distancë kohore zbehet edhe kujtesa e personave që kanë jetuar ose mbijetuar masakrat”, thotë Krasniqi.

Ndërsa, profesori Ismet Salihu, i cili ishte pjesë e Institutit për Hulumtimin e krimeve të Luftës, institucion ky që aktualisht nuk funksionon, thotë se shteti tregoi neglizhencë sa i përket kësaj çështje.

“Shumë e dëmshme është, jashtëzakonisht e dëmshme për shkak se jo vetëm që lë në harresë, për shkak se nuk tregohet as një minimum i respektit të dëshmoreve, të luftës që janë vrarë për këtë liri, të viktimave të luftës, të miliarda dëmeve të tjera materiale, për këtë arsye është e dëmshme mos themelimi i muzeut për krime të luftës por edhe rihapja e shpejtë e institutit për hulumtimin e krimeve të luftës”, thotë ai.

Sipas tij, krijimi i një muzeu që dëshmon krimet e luftës është i domosdoshëm, madje thekson se një i tillë është dashur të ndërtohet 15 vjet më parë. Krahas muzeut, ai shton se duhet rihapur Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

E në Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo që i ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit dhe pritet të formojë qeverinë, thotë se do të ngrisin padi për gjenocid ndaj Serbisë, si dhe do të themelojnë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe Muzeun që dëshmon krimet e luftës.

Institucionet shtetërore në Kosovë deri tani nuk e kanë pasur prioritetit mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë periudhës 1998-1999, anë e mbanë Kosovës.

Vendi ka disa iniciativa memoriale të cilave padyshim u prinë ajo në Prekaz, ku dëshmohet sakrifica e familjes Jashari, por edhe ajo ka mbetë në gjendje të vështirë pa përkujdesjen e duhur nga shteti./telegrafi/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtar ukrainas ka thënë se një autobus me dhjetëra…