Kosova është e gatshme për kampionatin e grupmoshës U20
Në prag të Kampionatit Evropian për hendbollistë të grupmoshës U20, që prej 13 deri më 21 korrik mbahet në Prishtinë, të enjten është mbajtur një konferencë për media. Konferenca është mbajtur në hapësirat e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku edhe zhvillohet Evropiani për hendbollistët deri në 20-vjet. Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka folur për përgatitjet e bëra, rëndësinë e organizimit të Evropianit në Kosovë dhe përfitimet e shumta nga kjo ngjarje. Ndërkohë selektori Bujar Qerimi ka folur për përgatitjen e Kombëtares U20 të Kosovës dhe për synimet. Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që kampionati të zhvillohet në mënyrën më të mirë.
“Jemi në prag të fillimit të Kampionatit Evropian U20 për hendbollistë. Mund të them që ne si Federatë kemi bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbarë të këtij kampionati. Do të jemi nikoqirë të ekipeve kombëtare të 12 shteteve. Do të jenë mbi 300 përfaqësues, duke përfshirë edhe gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjeve. Kemi bërë të gjitha përgatitjet, duke filluar nga vendosja, transporti dhe që të gjitha elementet e nevojshme për organizimin e këtij kampionati të jenë në rregull. Dhe çdo gjë të shkoj sipas protokolleve të përcaktuara”, ka thënë Saraçini.
“Në këtë organizim të madh do të jenë të përfshirë përveç bashkëpunëtorëve të FHK-së edhe dhjetëra vulletarë që do të marrin pjesë në këtë organizim, por edhe anëtarë të klubeve të ndryshme të hendbollit që në mënyrë vullnetare do të jenë të përfshira në organizmin e këtij eventi të rëndësishëm. Për bashkëpunimin dhe përkrahjen që kemi pasur në aspektin organizativ dhe financiar, duhet theksuar MKRS-në, partnerin kryesor të FHK-së në këtë event dhe jo vetëm, pastaj Ministrinë e Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme, përkatësisht policinë. Disa partnerë të tjerë si IPKO, RTV 21, NLB, KEP, Spitali Kavaja, por gjithashtu kryeqyteti ynë ka shpallur ditën e sportit dhe në këtë event jemi partnerë të rëndësishëm me Komunën e Prishtinës që na ka ofruar ndihmë të parezervë për këtë organizim”, ka deklaruar Saraçini, i cili ka ftuar të gjitha mediat të jenë pjesë e këtij eventi.
“Ne kemi filluar përgatitjet edhe për Evropianin U18 që do të mbahet muajin e ardhshëm. Është e rëndësishme që mbi 300 pjesëmarrës janë në Evropianin U20. Edhe në aspektin financiar do të ketë shpenzime që do t’i bëjnë pjesëmarrësit, kështu që benefiti i ekonomisë së qytetit do të jetë i shumëfishtë. Kjo nënkupton që ne me infrastrukturën ekzistuese duhet të jemi në gjendje ta zhvillojmë atë edhe më shumë, që të jemi të gatshëm të organizojmë edhe Kampionate Evropiane, por edhe Botërore. Shpresojmë që edhe Kombëtarja jonë U20 të shënojë rezultate të mira”, ka deklaruar Saraçini. Ndërsa përzgjedhësi Bujar Qerimi ka deklaruar se janë përgatitur për të zhvilluar një kampionat të mirë dhe synohet që të arrihet njëra nga katër pozitat e para.
“Përgatitjet për këtë garë të rëndësishme për ne, i kemi ndarë në tri faza. Faza e parë ishte për përgatitjen fizike dhe është bërë në Pejë. Ishte punë dhjetëditore. Pjesa e dytë prapë në Pejë, por fokusi ishte në përgatitjen taktike dhe teknike të Kombëtares. Është dashur të bëhet komponimi dhe automatizimi i lojës. Pjesa e fundit është kryesore. Jemi në prag të fillimit të garës në Evropianin B. Dje patëm miqësore me Britaninë e Madhe. Kemi parë disa probleme të vogla. Do të mundohemi t’i përmirësojmë që të jemi sa më mirë në aspektin tekniko-taktik. Fokusi kryesor është që këta lojtarë ta gjejnë veten sa më mirë që rezultati të jetë në plan të parë. Besojmë dhe kemi punuar sa ishte e mundur. Jemi përgatitur mirë që të mbërrijmë në katër ekipet e para”, ka deklaruar Qerimi.