Kosova është e rëndësishme për Zvicrën
Carlo Sommaruga, deputet i parlamentit të Zvicrës, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, kandidat për Dhomën e Shteteve (Senatin), me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë, flet për zhvillimet në Kosovë, imazhin e saj dhe traumat e luftës, të pagjeturit, ndryshimin e kufijve dhe Dick Martyn. E quan të pabesueshëm dhe absurd faktin e izolimit të Kosovës.
Në intervistën që është realizuar nga Naim Malaj, Sommaruga thotë se do të ndërhyjë pranë qeverisë federale që Zvicra ta marrë rolin e lideres për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës.
Ai ka treguar si u votua në Komisionin e Politikës së Jashtme për njohjen e Kosovës.
Gjithashtu, flet edhe për diasporën shqiptare në Zvicër, islamin laik shqiptar, “shqiponjën e Shaqirit dhe Xhakës”, për peizazhet e bukura të Kosovës dhe plazhet shqiptare.
Intervistoi: Naim Malaj
Kosova po feston 11-vjetorin e pavarësisë. Cili është vështrimi juaj për këtë rrugëtim 11 vjeçar të këtij shteti më të ri në botë?
Carlo Sommaruga: Gjatë qëndrimit tim në Kosovë, në gusht 2018, kam zbuluar një realitet politik social dhe historik, një imazh të Kosovës ndryshe nga ai që e kisha më parë dhe që, me gjasë, e ka një pjesë e klasës politike zvicerane. Për shumicën e politikanëve zviceranë, problemi i luftës me Serbinë është një kapitull i mbyllur. Kanë mbetur për t’u zgjidhur me Serbinë vetëm disa çështje teknike rreth kufirit. Ndërsa problemi më i madh shihet ai i luftës ndaj korrupsionit. Kjo vizitë në Kosovë më ka ndërgjegjësuar për tragjedinë e luftës, plagët e hapura, sidomos personat e pagjetur, familjet e të cilëve janë në kërkim të fëmijëve, baballarëve ose të kushërinjve. Kam kuptuar se shumë gra kanë përjetuar në trupin e tyre traumatizmat e luftës. Kosova është një vend i ri, por që ka përpara një punë të madhe, një proces të gjatë të zgjidhjes së traumatizmave të luftës.
Kam qenë i prekur, po ashtu, nga dinamika dhe vullneti i burrave dhe grave për të ndërtuar një të ardhme pozitive të Kosovë, por kam parë ose kam kuptuar gjithashtu më mirë, rolin e diasporës. Një rol shumë i madh për mbështetjen e familjeve dhe të vendit. Është e vërtetë se gjatës verës tabelat zvicerane të makinave janë të shumta. E kuptojmë se diaspora e Kosovës në Zvicër luan rol shumë të rëndësishëm për shoqërinë dhe vendin. Gjatë qëndrimit tim kam zbuluar peizazhe dhe një vend që deri më tani nuk e kam njohur dhe mendoj se me një dinamizëm mund të tërhiqni një turizëm nga Zvicra dhe Evropa për të zbuluar peizazhe të paprekura dhe male të cilat zviceranët i pëlqejnë shumë.
Pra, ka një dinamikë të shoqërisë për të ecur përpara, por ka edhe një lodhje të qytetarëve të Kosovës ndaj autoriteteve. Duket sikur klasa politike ishte e paaftë për t’iu përgjigjur aspiratave të popullit dhe e angazhuar më shumë në një luftë për pushtet sesa për një emancipim të shoqërisë. Për këtë më vjen shumë keq. Mendoj se kjo mund të ndryshojë me një pjesëmarrje më të madhe të shoqërisë civile. Pra, burrat dhe gratë e Kosovës do të duhej të investonin në shoqërinë civile, mos të jenë të varur nga vendimet politike, por që propozimet e tyre të vijnë jashtë partive politike.
Në Kosovë ka pasur zgjedhje të lira, të njohura dhe të pranuara nga të gjithë pa ndonjë kontestim siç ndodh në disa vende të regjionit. Institucionet e saj kanë treguar stabilitet politik. Përkundër kësaj, Kosova nuk shquhet për një imazh të mirë. Kosovarët janë qytetarët e vetëm në Evropë që nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza. Mendoni se ka një punë për të bërë nga ana e autoriteteve kosovare, por edhe të diasporës, për përmirësimin e imazhit të saj?
Carlo Sommaruga: Gjatë udhëtimit tim kam parë ndërmarrje ekonomike të vogla dhe të mesme që janë aktive në fusha të ndryshme të cilat punojnë për tregun evropian dhe zviceran. Ndërsa gjëja më e pabesueshme është se Kosova është e izoluar për shkak të vizave. Për t’i transportuar mallrat e Kosovës të destinuara për tregun evropian duhet kaluar përmes kompanive transportues maqedonase. Kjo flet për absurditetin e situatës. I vëmë pengesa Kosovës, ndërkohë që e ardhmja e saj kalon përmes zhvillimit ekonomik. Është e qartë se duhet lehtësuar qasjen në tregun zviceran ose evropian dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në këtë drejtim do të ndërhyj pranë qeverisë federale dhe parlamentit duke kërkuar që Zvicra ta marrë rolin e lideres për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në Kosovë, një vend i vogël, ne kemi konsullatën më të madhe në botë. Njerëzit kanë nevojë të lëvizin për arsye familjare, tregtare etj. ndërsa ne u vendosim pengesa. Kjo gjendje është absurde nga këndvështrimi zviceran dhe ai kosovar. Unë përshëndes faktin që tani e tutje zviceranët mund të udhëtojnë drejt Kosovës me letërnjoftim. Duket gjë e vogël, por ne e vlerësojmë.
Rreth çështjes së imazhit…
Carlo Sommaruga: Rreth perceptimit të Kosovës në Zvicër mendoj se shumica e njerëzve besojnë se kosovarët janë njerëz seriozë dhe punëtorë, të cilëve mund t’u besojmë. Në tregun e punës kjo gjë nuk kontestohet. Në klasën politike në Zvicër, ku nacionalistët janë shumë të pranishëm (natyrisht kjo vlen edhe për komunitetet e tjera) ata cilësohen si dele të zeza.
Është e vërtetë se në çaste të kaluara ka pasur një kriminalitet ndërkombëtar në Zvicër që kalonte përmes Kosovës dhe kjo ka lënë gjurmë më të thella në Zvicrën gjermane sesa në atë romande. Këtu jam i bindur se ka nevojë që autoritetet dhe përfaqësitë diplomatike e konsullore të Kosovës në Zvicër ta forcojnë shkëmbimin me autoritetet kantonale, por edhe ato federale dhe, ndoshta, më shumë me anëtarët e komisionit për politikë të jashtme. Jo vetëm që të forcohet shkëmbimi, por të ketë një program në fushën kulturore, dmth. ekspozita, shfaqje teatrale, muzikore etj. Kjo do ta mundësonte njohjen reciproke dhe do t’i nxiste qytetarët zviceranë për ta vizituar Kosovën dhe zbuluar historinë e popullit shqiptar dhe historinë më të re të Kosovës
E keni lexuar artikullin e javores “Die Weltwoche” e cila i fyen kosovarët?
Carlo Sommaruga: E kam lexuar. Është një artikull skandaloz. I mbushur me urrejtje për popullin e Kosovës. Gjatë historisë me artikuj të tillë kemi rrëshqitur drejt nënçmimit të një populli, pastaj drejt dehumanizimit komplet dhe, në fund, drejt gjenocidit. Kjo duhet denoncuar në mënyrë të vendosur.
Megjithatë, kosovarët janë integruar mirë, sporti është një shembull i mirë.
Carlo Sommaruga: Në përgjithësi, integrimi përmes sportit, nëse ai paraqitet si një etapë e parë e integrimit të një komuniteti, është gjë pozitive. Por, nëse sporti është mjeti i vetëm i një integrimi social, atëherë kjo do të shihej si një dështim i politikës integruese. Para 30-40 vjetësh në Zvicër kishim futbollistë me origjinë italiane që luanin për kombëtaren tonë. Sot nuk ka gati asnjë futbollist të tillë, sepse tani ata i gjejmë në ekzekutivet dhe parlamentet e qyteteve apo të kantoneve. Në Gjenevë nga shtatë anëtarë që ka qeveria kanonale, dy janë me origjinë italiane. E në kuadër të qeverisë federale një ministër nga shtatë, është me origjinë italiane. I njëjti fenomen paraqitet te spanjollët të cilët janë të pranishëm në ekzekutive.
Dmth., pas 30 vjetësh do të kemi këshilltarë (ministra) në qeverinë federale me origjinë nga Kosova?
Carlo Sommaruga: Mund të them se sot kemi këshilltarë komunalë nga Kosova, ndërsa në parlamentin e Gjenevës është një deputete (Xhevrije Osmani) me origjinë nga Kosova. Pra, shihet që Zvicra, përkundër një konteksti të vështirë, mund t’i integrojë njerëzit. Presidenti i qeverise kantonale në Gjenevë është refugjat nga Argjentina, ndërsa në parlamentin e Zvicrës është një deputete grua me origjinë kurde. Shpresoj që në rastin e komunitetit kosovar kjo do të realizohet më shpejt. Jam i bindur se komuniteti kosovar, duke e ditur numrin e madh në Zvicër, do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes popullatës zvicerane dhe komunitetit mysliman. Kosovarët janë myslimanë laikë, me një besim dhe praktikë fetare të qetë dhe mendoj se ata kanë për të luajtur një rol thelbësor në ndryshimin e mentaliteteve në Zvicër sikur në rastin e nënshkrimit të deklaratës së laicietit nga dy shoqatat e myslimanëve shqiptarë në Zvicër.
Dy të rinj nga Kosova shtrinë për tokë kombëtaren e Serbisë në ndeshjen me Zvicrën.
Carlo Sommaruga: Rreth të famshmes shqiponjës dykrenare, reagimi i zviceranëve ishte shumë pozitiv. Përtej këtij simboli historik dhe politik të shprehur nga Shaqiri dhe Xhaka, mendoj se, për ata dhe bashkësinë shqiptare në Zvicër, ka qenë një revansh lirie nga dominimi politik e kulturor serb dhe një mënyrë për t’u shprehur lirshëm edhe në fushën e futbollit. Dhe e gjithë kjo është bërë në një dinamikë pozitive të kombëtares së Zvicrës, që ka mundësuar të ketë një rezonancë shumë pozitive në gjirin e popullatës zvicerane e cila e ka kuptuar që plagët në mes të Kosovës dhe Serbisë janë ende të freskëta. Por, duhet theksuar, pavarësisht gjestit, diaspora e Kosovës kërkonte vetëm një gjë: suksesin e kombëtares zvicerane.
Zvicra është një ndër vendet e para që e ka mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës. Para këtij vendimi të qeverisë pati një votim në Komisionin e Politikës së Jashtme. Si rrodhi ky votim.
Carlo Sommaruga: Kam qenë në Komisionin e Politikës së Jashtme kur është bërë ky votim. Duhet thënë se socialistët në përgjithësi, si Micheline Calmy Rey, kanë luajtur rol aktiv në njohjen e Kosovës nga Zvicra. Njohja ishte një akt politik shumë i rëndësishëm pasi kontribuonte në qetësimin e gjendjes në rajon. Më kujtohet qe në komision e kishim ndërprerë votimin pasi kishte ende deputetë që hezitonin ndaj nuk dëshironim të kishim një votë negative. Por, në fund, çdo gjë shkoi mirë. Duhet thënë se nacionalistët e partisë UDC/SVP në Zvicër e kanë kritikuar dhe janë përpjekur ta bëjnë instrumentalizimin e kësaj vote duke njollosur imazhin e kosovarëve në Zvicër, imazhin e Kosovës dhe të përgjegjësve të saj politikë. Por, pa sukses.
Kosova vazhdon të mbetet e rëndësishme për politikën e jashtme të Zvicrës?
Carlo Sommaruga: Diaspora e Kosovës përbën një rëndësi të madhe në proporcion me popullatën e Kosovës, ngaqë më shumë se 10 për qind e saj jeton në Zvicër. Dërgimi i remitancave është i rëndësishëm edhe për Zvicrën. Kosova është e rëndësishme për Zvicrën sepse një destabilizim i saj do të sillte valë të reja refugjatësh tek ne, por edhe tensione në diasporë. Këto tensione mund të shpreheshin përmes dhunës dhe kjo nuk do të ishte në interes të dy vendeve. Po, Kosova është e rëndësishme për Zvicrën.
Jam shumë i kënaqur për kontributin e Zvicrës përmes Swisscoy për stabilizimin e gjendjes politike dhe të sigurisë në Kosovë. Fakti që Zvicra nuk ka tërhequr ende Swisscoy nga Kosova është një tregues i vullnetit tonë për të marrë pjesë në procesin e sigurisë dhe të stabilizimit të gjendjes në vend.
Kohët e fundit, në kuadër të arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë, është hedhur edhe ideja e shkëmbimit të territoreve? Cili është mendimi juaj?
Carlo Sommaruga: Ajo që konstatoj është se procesi i normalizimit të marrëdhënieve politike mes dy vendeve që kanë përjetuar tensione politike dhe luftë është i gjatë dhe i komplikuar. Procesi politik i arritur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë rreth emrit tregon se dialogu mund të ketë sukses dhe pse kjo ishte një çështje shumë e ndjeshme. E kemi parë këtë nga mobilizimi i njerëzve në rrugë në dy vendet. Përshëndes angazhimin e dy kryetarëve dhe dy kryeministrave të cilët janë angazhuar deri në fund dhe kanë fituar betejën politike. Ndoshta do ta humbin pushtetin më vonë, por ata u kanë bërë shërbim vendeve të tyre, stabilitetit të Ballkanit dhe të Evropës në përgjithësi. Kjo do të duhej ta inspironte Kosovën dhe Serbinë në dialog i cili do të duhej të ishte i barabartë dhe jo i imponuar.
Cila është zgjidhja? A është ndryshimi i vijës kufitare zgjidhja? Është gjithmonë vështirë të modifikosh një vijë kufitare për arsye etnike. Por nëse procesi bëhet në respekt të zgjidhjeve demokratike të një vendi duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, sipas mendimit tim, ky proces duhet të arrihet. Natyrisht që kjo është një çështje që i takon Kosovës dhe Serbisë. Por duhet të kihet parasysh që në mozaikun e ish-Jugosllavisë kjo mund të shkaktonte procese të tjera të ngjashme ose të ngjallte dëshira për rivizatimin e disa kufijve. Kjo është një komponentë që dy vendet duhet ta kenë parasysh. Do të dëshiroja që në tavolinën e bisedimeve të kishte diplomatë zviceranë jo për të gjetur një zgjidhje, por për të reflektuar rreth respektit të pakicave dhe procesit demokratik pasi ne kemi një përvojë të gjatë demokratike të votës popullore si dhe të ndryshimit të kufijve taksorë me shumë pasione. E dimë edhe në Zvicër që është një proces shumë i gjatë, por është e rëndësishme që procesi të jetë demokratik. Edhe pse edhe në Zvicër nganjëherë proceset demokratike ankimohen në gjykata.
Ju e njihni senatorin Dick Marty. Cili është mendimi juaj për raportin e njohur të tij për të ashtuquajturin trafik organesh, raport që ka shërbyer si bazë për themelimin e Gjykatës Speciale të Hagës?
Carlo Sommaruga: Dick Marty është një personalitet që gëzon respekt të madh në Zvicër. Ai gjithmonë ka qenë i pavarur dhe ka pasur një sjellje të një etike të lartë. Falë tij janë zbuluar burgjet sekrete të CIA-s në Evropë. Ai ka denoncuar pengmarrjet ilegale të bëra nga CIA në Itali dhe gjetiu në Evropë. Për Zvicrën është vështirë të mendohet që analiza e tij rreth Kosovës ka dashur të mashtrojë dikë ose t’i njollosë personalitetet politike të Kosovës në pushtet. Por, unë nuk e përjashtoj mundësinë që informacionet me të cilat ai dispononte të jenë jokomplete dhe të orientuara. Mbase analiza e tij në këtë drejtim nuk është e duhur dhe, ndoshta, ka arritur në konkluzione që nuk janë korrekte. Personalisht, nuk mund të shprehem rreth kësaj çështje, por mendoj se autoritetet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me të dhe autoritetet e tjera.
Rreth bashkëpunimit të Kosovës, Gjykata Speciale është themeluar me votën e Kuvendit të Kosovës dhe, nëse ka një vend në rajon që ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, ai është Kosova.
Carlo Sommaruga: Ky aspekt i bashkëpunimit nuk vihet në dyshim. Më duket i nevojshëm një proces që riverifikon faktet në një distance kohore pavarësisht prej vështirësive për provat, por që bën të kemi një shikim më të shkëputur në kohë: dëshiroj që ky proces të sjellë qetësi në Kosovë si dhe në marrëdhëniet me instancat e drejtësisë ndërkombëtare dhe BE-së.
Shqipëria është një vend tjetër i shqiptarëve. Ju e keni vizituar atë disa herë. Me çfarë përshtypje jeni ndarë?
Carlo Sommaruga: Gjatë udhëtimit të fundit në Shqipëri kam vërejtur gjëra që nuk i kisha parë gjatë dy vizitave të mia zyrtare në këtë vend. Gjatë kontakteve me njerëz kam konstatuar se ka një hapësirë shqiptare që përbën Kosovën, një pjesë të mirë të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kufijtë nuk kanë kuptim për shumë njerëz pasi ata kanë familje gjithandej. Ata shkojnë në pushime nga Kosova në Shqipëri ose vizitojnë anëtarë të familjes në Maqedoni. Kjo më ka befasuar shumë dhe më bën të mendoj se Zvicra duhet ta vazhdojë dinamikën e përafrimit të Shqipërisë e cila për arsye historike është e harruara e Evropës.
Shqipëria ka një përparësi që nuk e ka Kosova, plazhet. Kjo është tërheqëse për turistët evropianë, e sidomos të atyre nordikë, në kërkim të ngrohtësisë diellore. Kam parë shumë kosovarë, edhe zviceranë, që shkojnë për pushime në plazhet e Shqipërisë. Shpresoj se linja e re ajrore Zurich – Tiranë do ta shtojë numrin e turistëve zviceranë në Shqipëri. Ka një potencial për një zhvillim ekonomik dhe mendoj se duhet ndihmuar Shqipërinë. Një Shqipëri e zhvilluar ekonomikisht do të ishte në interes të Kosovës.
Në fund një mesazh për diasporën e Kosovës në Zvicër?
Carlo Sommaruga: Një pjesë e mirë e kosovarëve janë dyshtetas. Unë jam italo-zviceran. Kjo është historia moderne e emigracionit në Zvicër. Dyshtetësit janë shans i madh, sepse këta njerëz mund të kontribuojnë për ndërtimin e vendeve të origjinës dhe të atyre mikpritëse. Pjesëmarrja e këtyre njerëzve në votimet në Zvicër është shumë e rëndësishme, sidomos kur mendohet për iniciativat e partisë UDC/SVP për kufizim të emigracionit dhe mbylljes së kufijve, por edhe gjatë zgjedhjeve në Zvicër, për t’i mbështetur ato forca dhe personalitete politike që angazhohen për një Zvicër më të hapur dhe më mikpritëse dhe të angazhuar ndaj Kosovës.