Kosova është ndihmuar me mbi 341 milionë euro për menaxhimin e Covid-19
Me ftesë të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti është mbajtur të hënën tryeza me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike për menaxhimin e pandemisë me COVID-19.
Ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë iu përgjigjën kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasnqi. Në këtë tryezë, prezentë kanë qenë edhe ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia dhe zëvendësministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Ilir Aliu.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij hapëse ka prezantuar situatën aktuale me COVID-19 në Kosovë dhe masat që i ka marrë Qeveria e Kosovës deri më tash për ta menaxhuar këtë situatë.
Ai i ka njoftuar të pranishmit se në biseda telefonike me kryetarët e të gjitha komunave në Kosovë janë vlerësuar të gjitha nevojat që ato i kanë, e më pas ai edhe i ka vizituar deri më tash 15 prej tyre, që të njoftohet më për së afërmi me situatën në terren.
Po ashtu ka treguar se janë organizuar katër tryeza me ambasadorë ku janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmës, është hapur llogari e veçantë në thesarin e Republikës së Kosovës për menaxhim me pandeminë e COVID-19, ku deri më tani janë mbledhur rreth 400 mijë euro, derisa vlera e ndihmës së marrë deri tash nga organizatat dhe shtetet e huaja ka arritur në 341 milionë euro.