Kosova është pa kryeministër, Kurti ka hequr dorë nga detyrat e tij
Ish-zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se Kosova tani është pa kryeministër. Ai ka shtuar se Albin Kurti ka hequr dorë nga detyra e tij qeverisëse.
Limaj ka thënë se nëse Kurti e vazhdon këtë logjikë qeverisëse, dëmi që do t’i shkaktohet vendit do të jetë shumë i madh.
“Kosova është pa kryeministër. Kryeministri i Kosovës ka hequr dorë qëmoti nga detyra e tij qeverisëse. Ai nuk është duke e qeverisur vendin, por duke e administruar. Sa do të zgjasë nuk varet nga ne, por nga të gjithë. Varet nga qytetarët. Nëse vazhdohet me këtë logjikë, Kosova deri tani është e dëmtuar me vite të tëra, por dëmi do të jetë edhe më i madh nëse vazhdohet me këtë qeverisje”, ka deklaruar Limaj.
Sipas tij, edhe në dialogun me Serbinë ka mungesë të përvojës e të dijes nga kryeministri Kurti.
“Edhe në politikën e dialogut kemi të njëjtën mungesë të përvojës, mungesë të dijes. Prandaj kjo ka sjellë degradim të procesit të dialogut. Sjellja e kësaj qeverie në dy vjetët e fundit, në pjesën veriore, ka degraduar dhe ka tensionuar pozicionin e Kosovës në negociata. Ekskursionet e tij në veri kanë ngritur tensione dhe po i kushtojnë Kosovës. Një nga këto është degradimi në procesin negociues. Koha është për marrëveshje gjithëpërfshirëse që njohjen e ka brenda, ndërkaq ne tash po dëgjojmë mesazhe të tjera”, ka thënë Limaj. /EO