Kosova falënderon Emiratet e Bashkuara për ndihmën e dhënë në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka pritur sot në takim ambasadoren e Emirateve të Bashkuara me seli në Podgoricë, Nabila Abdelaziz Nasir Saeed Alshamsi, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin mes dy shteteve në fushën e shëndetësisë.
Ministri Latifi ka falënderuar Emiratet e Bashkuara dhe personalisht ambasadoren Alashamsi për kontributin e vazhdueshëm në fushën e shëndetësisë në Kosovë, me theks të veçantë në ndërtimin e spitalit të fëmijëve në Prishtinë, duke shtuar se fillimi i punës në këtë spital do bëhet në fund të këtij muaji.
Në këtë takim ministri Latifi ka përmendur se prioritet për të dhe Ministrinë e Shëndetësisë është edhe krijimi i Qendrës së Traumës dhe qendrave tjera të ekselencës (sikurse është ai për transplantimin e veshkës), duke shpresuar kështu në bashkëpunim të vazhdueshëm edhe me Emiratet e Bashkuara si në krijimin e infrastrukturës së nevojshme ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale për këto qendra.
Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara, Nabila Abdelaziz Nasir Saeed Alshamsi ka premtuar se Emiratet e Bashkuara do të jenë gjithmonë të gatshme për bashkëpunim në shumë projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimin e përvojave mes mjekëve të dyjave vendeve.
Ajo ftoi ministrin Latifi për vizitë në Emiratet e Bashkuara, ku me homologun e tij do t’i shpalosin projektet e përbashkëta.
Po ashtu, ambasadorja Alshamsi ka theksuar se do të jetë mbështetëse e fuqishme në vazhdimësi e të gjitha ideve dhe projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.