Kosova feston Ditën e Pavarësisë së ShBA-së
Shoqata “Miqtë e Amerikës” bashkë me Gardën Ceremoniale të FSK-së e kanë ngritur flamurin amerikan në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë me rastin e 242- vjetorit të pavarësisë së Amerikës.
Dita kombëtare e shtetit amerikan në mënyrë simbolike po festohej edhe nga dy fëmijë të cilët kishin veshur bluza me stemën e flamurit të SHBA-së.
Kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, ka thënë se qëllimi i këtij organizimi është dërgimi i mesazhit falënderues për shtetin amerikan, pa kontributin e të cilit Kosova nuk do të gëzonte lirinë dhe pavarësinë.
Ndërsa Hajrush Kurtaj, drejtor i departamentit për bashkëpunim civil dhe ushtarak pranë Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, duke uruar popullin amerikan në këtë ditë të pavarësisë së saj, ka thënë se ShBA-ja ka bërë shumë për Kosovën dhe shtet ndërtimin e saj.
Në anën tjetër, ushtari amerikan nga Ajova, James Grimaldi duke falënderuar për organizimin e kësaj ceremonie në nder të 242-vjetorit të pavarësisë së Amerikës, u shpreh se Kosova ka shumë për të kaluar, por që do e ketë mbështetjen e shtetit amerikan.
Në shenjë falënderimit ndaj shtetit amerikan për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësisë së Kosovës, kori “Nexhmie Pagarusha” interpretoi disa pika muzikore.