Kosova fitoi ndaj Maqedonisë Veriore
Vashat e Kombëtares së Kosovës kanë shënuar fitore në ndeshjen e parë miqësore kundër Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua, sot, në stadiumin e qytetit në Gjakovë, me rezultat 3:1.
Loja ishte e mirë, cilësore dhe përplot aksione të mira. Futbollistet tona mbizotëruan me lojë dhe rezultat, sidomos në pjesën e parë, ku së pari shënoi Modesta Uka në minutën e 21-të, ndërkaq epërsinë e dyfishoi Valentinë Limani në minutën e 30-të.
Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, derisa 45 minutat e dytë nisën me një këndellje të maqedonaseve, të cilat u munduan të kthejnë rezultatin, kështu që në minutën e 78-të Dimovska ngushtoi epërsinë në 2:1. Megjithatë, futbollistet tona shumë shpejtë e rikthyen epërsinë e dy golave duke mos lejuar që t’u rrezikohet fitorja, ku Besjana Reçica, e cila vulosi rezultatin përfundimtar të takimit, 3:1.
Ndeshja e dytë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet të hënën.