Kosova ‘fluturon’ në ranglistën e UEFA-s
Paraqitjet dhe rezultatet e arritura nga Përfaqësuesja A E Kosovës në futboll kanë bërë jehonë edhe në mediet më prestigjioze në botë, derisa seria prej 14 ndeshjeve pa humbje ka bërë që Kosova të vlerësohet si storie e suksesit.
Mirëpo, krahas sukseseve të Përfaqësueses A, edhe ekipet përfaqësuese të grupmoshave janë duke bërë paraqitje të mira, duke dëshmuar se futbolli i Kosovës është në rrugën e duhur. Një gjë e tillë dëshmohet edhe me përparimin që Kosova ka bërë në ranglistën e UEFA-s sa i përket progresit të Federatave Kombëtare. Në fakt, në kuadër të UEFA-s ekziston trofeu “Maurice Burlaz”, çmim që i jepet Federatës kombëtare që ka arritur rezultatet më të mira në garat e të rinjve të UEFA-s gjatë dy sezoneve të mëparshme për U17 dhe U19. Ky trofe është emëruar sipas Maurice Burlaz, ish-nënkryetare e Komitetit Rinor të UEFA-s.
Në edicionin 2016/17, Kosova ishte në vendin e 55-të (të fundit në ranglistë), kurse tani është në vendin e 43-të, duke përparuar kësisoj për 12 pozita. Në aspektin e përparimit Kosova është në vendin e 4-t prej Federatave që kanë përparuar më së shumti gjatë periudhës dyvjeçare.