Kosova gjatë 2023-s në ekonomi
Kuvendi e miraton buxhetin për vitin 2024
Më 14 dhjetor Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Buxhetin për vitin 2024 në një seancë të jashtëzakonshme, e cila është braktisur nga opozita. Nga 64 deputetë të pranishëm në sallë, 63 votuan për, ndërsa një abstenoi. Projektligji ishte aprovuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën mbi 3.3 miliardë euro – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit. Për vitin 2024 Qeveria e Kosovës ka planifikuar të ndajë dukshëm më shumë para për disa ministri, si Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Mbrojtjes, në krahasim me vitin 2023. Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime, shkruan “Epoka e re”.
Tensionet në veri, me ndikim negativ në ekonomi
Trazirat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, kanë bërë që investitorët ndërkombëtarë të hezitojnë ta shtrijnë kapitalin e tyre jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sa herë që bisedohet për mundësinë e ardhjes së ndonjë kompanie të huaj në Kosovë, mbizotëron tema e veriut. Brenda 15 vjetëve të fundit vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë kap vlerën e mbi 4.5 miliardë eurove. Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri. Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Qytetarët e Kosovës u ballafaquan me rritje të çmimeve
Çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten për çdo ditë në Kosovë. Njëjtë ka ndodhur edhe gjatë vitit 2023. Qytetarët vazhdimisht janë ankuar për rritjen e çmimeve, sidomos të produkteve elementare. Shumë prej tyre janë ankuar se me pagat që marrin e kanë të vështirë t’i mbulojnë nevojat më elementare për jetë. Sipas njohësve të ekonomisë, rritja e çmimeve në treg ka qenë për shkak të çmimit të lartë të importit të mallrave. Ndërsa ASK-ja në fund të vitit ka theksuar se familjet në Kosovë kanë shpenzuar rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim. Në anën tjetër, UNDP-ja ka bërë me dije se për vitin 2023 varfëria në Kosovë është rritur për 16 për qind.
Mbi 1.2 miliard euro vlera e dërgesave nga mërgata
Mbi 1.2 miliard euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Kosovë deri në muajin nëntor të vitit 2023, gjë që paraqet rritje prej 10.2-përqindësh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve të tjera financiare për muajin nëntor 2023 të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e tyre, sipas vlerësimeve, ishte 101.3 milionë euro në muaj. Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jobankare me pjesëmarrje prej 65-përqindësh, pasuar nga kanalet e tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.
Qeveria ndan 100 euro për fëmijët dhe pensionistët
Më 13 dhjetor Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nën 16 vjeç në muajin dhjetor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushteti synon që vitin e ardhshëm ta avancojë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë. Deri më tani Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç. Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro. Në mbledhjen e parafundit të qeverisë, Kurti ka thënë se këtë muaj edhe pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro, përveç pensionit të rregullt.
AKP-ja rimerr disa asete në Mal të Zi
Më 29 nëntor Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se ka arritur të kthejë tetë asete në Mal të Zi të një ndërmarrjeje nga Kosova. Sipas një njoftimi, AKP-ja tha se fitoi rastin gjyqësor, në shkallë të dytë, për asetet në Mal të Zi të KBI Kosova Export – Industria e Mishit nga Fushë-Kosova. Pronat e KBI Kosova Export – Industria e Mishit ndodhen në Podgoricë, Tivar dhe Budvë. KBI Kosova Export – Industria e Mishit ka gati 1 000 metra katrorë hapësira biznesi në lokacione prestigjioze në Mal të Zi. Në qendër të Podgoricës janë shtatë të tilla me një sipërfaqe totale prej 700 metrash katrorë – prej të cilave 500 janë në katet përdhes të objekteve të banimit dhe 200 në bodrumet e tyre. Në qendër të Budvës është një hapësirë prej 60 metrash katrorë, ndërsa në Tivar prej 137 metrash katrorë, plus 47 metra katrorë bodrum.
Kushtetuesja shpall të pavlefshëm Ligjin për Çmimet Tavan për produktet bazë
Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg është shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Gjykata ka konstatuar se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Në aktgjykimin e publikuar më 24 nëntor është bërë me dije, po ashtu, se kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar me shtatë vota për, ndërsa një ishte kundër. Aktgjykimi i Kushtetueses vjen pas shqyrtimit të rastit të parashtruar nga deputeti Arben Gashi, i përkrahur edhe nga nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës. Tri partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovë e patën kundërshtuar ligjin e hartuar nga Qeveria e Kosovës për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore.
Kushtetuesja vendos në favor të qeverisë për faljen e tatimit në pronë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për Tatim në Pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale. Në gusht komuna e Prizrenit dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta kontestuar nenin 5 të ligjit të ndryshuar, që parasheh faljen në vlerë prej 100 eurosh të tatimit në pronë për çdo tatimpagues për vitin tatimor 2023. Nga komuna e Prizrenit kishin argumentuar se neni 5 i këtij ligji shkurton buxhetin e komunave të Kosovës. Më 4 shtator Kushtetuesja kishte pranuar kërkesën e komunës së Prizrenit dhe kishte vendosur masë të përkohshme për ligjin deri në një vendim përfundimtar.
Minatorët e Trepçës ndërpresin grevën
Më 2 nëntor minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë ndërprerë grevën pas 10 ditësh. Marrëveshja u arrit mes Bordit të përkohshëm të Drejtorëve të Trepçës dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas marrëveshjes, minatorët dhe përfaqësuesit e partisë në pushtet u pajtuan që ekzekutimi i pagës së minatorëve të bëhet nga data 6 deri më 10 të çdo muaji, të shpallet konkursi për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, të përmirësohen kushtet e sigurisë dhe të tërhiqen vendimet e ndërmarra gjatë grevës 10-ditore. Sa i përket kërkesës për sigurim shëndetësor dhe jetësor, minatorët janë pajtuar që këto çështje të trajtohen më vonë.
Kosova e humb arbitrazhin me Contour Global
Qeveria e Kosovës e ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane Contour Global për mosrespektim të kontratës. Lajmi u bë më dije më 5 tetor. Kosova detyrohet tani t’ia paguajë Countour Globalit mbi 20 milionë euro dëmshpërblim në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar. Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë thanë se Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe se do të ankohen ndaj tij në Gjykatën Civile në Mbretërinë e Bashkuar.
Shtohen paratë false në tregun e Kosovës
Nga janari deri në shtator të vitit 2023 në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35 000 monedha të falsifikuara dhe 2 209 kartëmonedha të falsifikuara. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ekspertët e forenzikës ekzaminuan 9 309 monedha të falsifikuara dhe 645 kartëmonedha. Më të falsifikuarat gjatë vitit 2023, sipas tyre, ishin monedha prej dy eurosh dhe kartëmonedha prej 50 eurosh. Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron. Nga shtetet e tjera të rajonit ashtu vepron edhe Mali i Zi. BQK-ja ka theksuar se paratë false e dëmtojnë ekonominë e Kosovës.
Votohet Fondi Sovran
Më 15 dhjetor Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Fondin Sovran. 62 deputetë të pushtetit votuan pro këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Si pjesë e projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente. Sipas ekzekutivit, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimin e keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike. Opozita e ka kundërshtuar projektligjin e këtij fondi duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Paga minimale rritet në 264 euro
Më 13 korrik me 60 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës është miratuar në lexim të dytë projektligji që mundëson rritjen e pagës minimale. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë projektligj mundësohet rritja e pagës minimale. Nga 130 euro e 170 euro, në 264 euro bruto për të gjithë. Për punëtorët nën 35 vjeç rritje e pagës minimale për 103 %, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç rritje për 55 %. Po ashtu, hiqet tatimi në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, ndërsa nga heqja e shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.
Kosova pranon 67.5 milionë euro nga BE-ja si mbështetje ndaj krizës energjetike
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve më 17 mars ka njoftuar se ka pranuar tranzhin e parë prej 67.5 milionë eurosh nga Bashkim Evropian, nga 75 milionë sa është mbështetja totale ndaj krizës energjetike. Këto fonde do të përdoren për zbatimin e masave mbështetëse për energji, të cilat përfshijnë mbështetjen ndaj familjeve më në nevojë, nxitjen e kursimit për konsumatorët familjarë, mbështetjen për energji efiçiente për banesa dhe shtëpi, mbështetjen për blerjen e pajisjeve shtëpiake efiçiente, si dhe nxitjen e kursimit nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Marrëveshja financiare prej 38 milionë eurosh për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor në Kosovë
Më 9 shkurt ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe udhëheqësi i Operacioneve të Bankës Evropiane për Investime për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Matteo Rivellini, patën nënshkruar marrëveshjen financiare të financimit shtesë për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 në Kosovë. Marrëveshja në vlerë prej 38 milionë eurosh synon rehabilitimin e 139 km të linjës hekurudhore, përkatësisht në sinjalistikë dhe telekomunikacion. Ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë së udhëtimit dhe ngritjen e kapaciteteve për pasagjerë dhe mallra.
Lansohet platforma e punësimit për të rinj “superpuna”
Më 6 shkurt qeveria ka lansuar platformën “superpuna”, qëllimi i së cilës është ndërmjetësimi i të rinjve punëkërkues 18-25 vjeç me punëdhënës potencialë. Punëdhënësit mund të jenë nga sektori privat, publik dhe sektori joqeveritar. Përmes “superpuna” çdo punëdhënës mund të angazhojë deri në 30 % të stafit ekzistues. Pra, nëse një biznes ka 10 të punësuar, përmes “superpuna” mund të angazhojë edhe 3 punëtorë të rinj. Pas ndërmjetësimit të suksesshëm në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve, qeveria bën subvencionimin e pagës prej 264 eurosh në muaj për 6 muaj me radhë. Çdo punëdhënës ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.
Telekomi i Kosovës, fitim 5.9 milionë euro neto në vitin 2023
Në periudhën janar-nëntor të këtij viti Telekomi i Kosovës ka shënuar fitim prej 5.9 milionë eurosh neto, duke përmirësuar performancën financiare. Investimet të cilat planifikohen të bëhen janë qenësore për Republikën e Kosovës si zgjerimi dhe përforcimi i rrjetit në mbarë territorin, ku pritet që vitin tjetër të fillohet me shërbimin 5G. Fitimet të cilat i ka shënuar Telekomi i Kosovës janë duke u kthyer në investimet teknologjike si dhe në modernizim të rrjetit e të cilat kanë munguar që nga viti 2015.
Dogana mbledh më shumë 1.5 miliard euro të hyra
Dogana e Kosovës ka përmbyllur raportin e të hyrave për vitin 2023 me 1.5 miliard euro. Ky rezultat është edhe një rekord tjetër i shënuar për periudhën në të cilën flasim. Të hyrat sivjet tejkalojnë të hyrat për të njëjtën periudhë me 124 milionë apo 9 % më shumë të hyra. Dogana e Kosovës është duke shënuar rezultate shumë pozitive edhe në luftimin e ekonomisë joformale dhe mbrojtjen e shoqërisë nga mallrat e ndaluara. Edhe raporti i fundit për vendin nga Komisioni Evropian ka theksuar performancën e mirë të Doganës së Kosovës në disa fusha të rëndësishme.
Rryma shtrenjtohet mbi 15 për qind
Energjia elektrike në Kosovë është shtrenjtuar për 15.4 për qind. Kështu vendosi më 30 mars Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji. Tarifat e reja të rrymës kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli. Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 300 megavate në orë. Këtë diferencë ajo e importon nga jashtë. Faturat e muajit dhjetor kanë ardhur me çmim të lartë, duke bërë që për këtë gjë të reagojnë shumë qytetarë dhe partitë e opozitës.
Qytetarëve u humbin miliona euro të kursyera në Trust
Në shtator është raportuar se kriza globale ka ndikuar që Trusti të humbë miliona euro të kursimeve të qytetarëve. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia e investimeve të këtij institucioni përgjatë periudhës janar-korrik 2022 ka arritur në 161.7 milionë euro. Për këtë çështje është deklaruar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka pranuar se Trusti është duke pësuar humbje të kursimeve pensionale. Sipas tij, në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve për shkak të krizës në tregjet ndërkombëtare. Edhe në fillim të 2023-s deputetët e Kosovës i thanë jo një tërheqjeje të re nga Trusti, edhe pse opozita ishte pro tërheqjes së këtyre mjeteve.