KOSOVA GJATË VITIT 2020

31 dhjetor 2020 | 10:28

Republika e Kosovës gjatë vitit 2020 është ballafaquar me sfida të mëdha. Gjatë këtij viti janë rrëzuar dy qeveri, ajo e drejtuar nga Albin Kurti dhe qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Po gjatë vitit 2020 Kosova është ballafaquar me Gjykatën Speciale, ku tashmë gjenden në Hagë ish-drejtuesit kryesorë të UÇK-së, por edhe me pandeminë Covid-19.

Kurti bëhet kryeministër

3 shkurt – Me 66 vota Kuvendi i Kosovës ka votuar për formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pati dalë e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të 2019. Kosova ishte bërë me qeveri të re gati katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe votimi i saj erdhi pas negociatave të gjata ndërmjet LV-së dhe LDK-së. Para se të votohej qeveria Kurti, partitë opozitare, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate, e kanë lëshuar sallën. Qeveria e re kishte 15 ministri. Kryeministri i ri kishte edhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj kishte edhe 33 zëvendësministra.

Vjosa Osmani bëhet kryetare e Kuvendit

3 shkurt – Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka marrë 65 vota të deputetëve. Më 26 dhjetor të vitit 2019 këtë pozitë e kishte marrë Glauk Konjufca, mirëpo për shkak të arritjes së marrëveshjes politike LV-LDK kishin rënë dakord që këtë pozitë t’ia kalojnë LDK-së. Ndërsa Glauk Konjufca ishte zgjedhur ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Konjufca propozon tërheqjen e disa ambasadorëve nga misionet diplomatike

3 mars – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të gjashtë ambasadorëve dhe një konsulli. Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se personat e propozuar për tërheqje nga misionet diplomatike janë: Vlora Çitaku (Uashington), Edon Cana (Sofje), Lirim Grejçevci (Hagë), Shpend Kallaba (Budapest), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Podgoricë) dhe Ramadan Avdiu (konsull në Gjenevë). Po ashtu, Konjufca ka shkarkuar edhe disa konsuj të cilët kanë qenë duke shërbyer në disa vende të botës.

Covid-19 prek edhe Kosovën

13 mars – Në Kosovë janë konfirmuar rastet e para me koronavirus. Numri total i rasteve pozitive është 50 910 raste nga 181 148 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 325 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 454 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 40 423 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9 162.

Kurti shkarkon Veliun

18 mars – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu. Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një njoftimi pati njoftuar se shkarkimi i Veliut kishte ndodhur për shkak të deklarimit kundër qëndrimit të kryeministrit Kurti mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Shkarkimi i Veliut ishte bërë shkak që të prishet koalicioni në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Rrëzohet qeveria e Kurtit

25 mars – Me 82 për, 32 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro mocionit të mosbesimit të qeverisë, duke e shkarkuar kështu qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila nuk pati jetëgjatësi më shumë se 50 ditë pune. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti ishte iniciuar nga LDK-ja dhe ishte mbështetur nga partitë e tjera parlamentare në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe Listën Serbe. Ndryshe nga grupi i saj parlamentar, LDK-ja, Vjosa Osmani ka votuar kundër këtij mocioni.

Kurti shkarkon Hotin nga pozita e zëvendëskryeministrit

26 mars – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kishte marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hoti. Këtë vendim ai e kishte marrë pas mesnate, jo shumë kohë pas miratimit të mocionit të mosbesimit, që i kishte dhënë fund qeverisë Kurti.

Kushtetuesja i jep të drejtë Thaçit për dekretin

28 maj – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i japë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e qeverisë. Kushtetuesja kishte vlerësuar se presidenti ka vepruar në përputhshmëri me Kushtetutën me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja. Dekretin e presidentit Thaçi në Kushtetuese e kishte dërguar për interpretim Vetëvendosja, pasi ajo si parti fituese e zgjedhjeve këmbëngulte se Kushtetuta ia mundëson vetëm asaj propozimin e mandatarit për formim të qeverisë.

Avdullah Hoti zgjedhet kryeministër

3 qershor – Deputetët e Kuvendit të Kosovës për herë të parë në historinë e Kosovës e kanë votuar një qeveri e cila nuk e përfshinë fituesin e zgjedhjeve. Me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit e kanë zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të drejtohej nga kryeministri Avdullah Hoti. Qeveria e re është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila, në shenjë pakënaqësie, nuk e ka drejtuar këtë seancë. ShBA-ja, BE-ja, presidenti Thaçi, kancelari austriak dhe liderët shqiptarë e kanë përshëndetur formimin e qeverisë së re.

Vjosa Osmani shkarkohet nga pozitat udhëheqëse në LDK

21 qershor – Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga posti i nënkryetares së partisë dhe anëtares së kryesisë, kurse Osmani i ka paralajmëruar të gjithë ata që votuan për largimin e saj nga këto pozita, se do të shihen së shpejti në zgjedhje. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka njoftuar se për shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë kanë votuar për 70 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, 16 kanë qenë kundër dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike.

Anulohet takimi i Uashingtonit

25 qershor – Është anuluar takimi i 27 qershorit në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pasi kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se nuk do të shkojë në këtë takim pasi Gjykata Speciale ka publikuar aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. I dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka mirëkuptuar vendimin e kryeministrit të Kosovës. Thaçi ishte kthyer nga rruga për Uashington pas marrjes së lajmit nga Gjykata Speciale.

Kushtetuesja e shpall të pavlefshëm Ligjin për pagat

30 qershor – Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës. “Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze saqë të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës, duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”, është thënë në vendimin e Kushtetueses.

Mbahet Samiti i Parisit për Kosovën dhe Serbinë

10 korrik – Nën ndërmjetësimin e Francës, Gjermanisë dhe BE-së është mbajtur samiti virtual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë samit, që shënon takimin e parë ndërmjet përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë, palët i kanë prezantuar objektivat e këtij procesi. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se procesi duhet të ketë afate kohore dhe të përfundojë me njohje reciproke. Ndërsa presidenti i Serbisë, kërkesat e Kosovës i ka quajtur të pakuptimta.

Thaçi intervistohet nga Gjykata Speciale

13 korrik – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është intervistuar për tri ditë me radhë në Hagë nga Gjykata Speciale. Para se të hynte në objektin e Gjykatës Speciale, ai është shprehur i gatshëm të përballet me këtë sfidë, duke mohuar të gjitha pretendimet e kësaj gjykate. Ai ka deklaruar se askush nuk mund ta rishkruajë historinë dhe se ky është çmimi për lirinë.

Në Amerikë nënshkruhet marrëveshja ekonomike Kosovë – Serbi

4 shtator – Republika e Kosovës dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, marrëveshjen e kanë nënshkruar në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Zyrën Ovale. Pas ceremonisë së nënshkrimit, presidenti Trump këtë marrëveshje e ka vlerësuar historike. “Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për ta kapërcyer ndarjen”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Kosova dhe Serbia kanë shprehur përkushtimin e tyre që t’i normalizojnë raportet ekonomike.

Izraeli njeh Kosovën shtet

4 shtator – Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi në Uashington, Izraeli e ka njohur Republikën e Kosovës. Kurse kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. “Kosova ka rënë dakord ta hapë ambasadën në Izrael, konkretisht në Jerusalem”, ka deklaruar ai. Sipas tij, Kosova është bërë vendi i parë me shumicë myslimane që do ta ketë ambasadën në këtë vend. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Trump ka thënë se Serbia ka shprehur përkushtimin ta zhvendosë ambasadën e vet nga Tel Avivi në Jerusalem. Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka konfirmuar këtë lajm.

Salih Mustafa, i arrestuari i parë i Gjykatës Speciale

24 shtator – Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, ka njoftuar të enjten se ka bërë arrestimin e parë në Kosovë. I dyshuari i parë që është arrestuar nga Gjykata Speciale është ish-ushtari i UÇK-së, Salih Mustafa, zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Arrestimin e tij e ka konfirmuar Zyra e Prokurorit të Specializuar.

EULEX-i arreston Gucatin dhe Haradinajn, i dërgohen në Hagë

25 shtator – Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK). Gjatë këtij aksioni, në të cilin kanë marrë pjesë edhe hetuesit e Gjykatës Speciale, është arrestuar kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, i cili është dërguar për në Hagë. Ndërkaq vetëm dy orë më vonë është arrestuar edhe nënkryetari i OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj. Pas arrestimit të tyre, ata janë dërguar në Hagë, ku më vonë u është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale për pengimin e drejtësisë.

Arrestohet Jakup Krasniqi, dërgohet në Hagë

4 nëntor – Pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale në Hagë është arrestuar ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Arrestimi është bërë pas një aksioni të bastisjes në shtëpinë e Krasniqit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e mbështetur nga EULEX-i. Avokati i Krasniqit, Valon Hasani, ka deklaruar se pas arrestimit klienti i tij pritet të dërgohet në Hagë. Ai ka thënë se Krasniqi dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, por janë në kuadër të veprave që bien nën juridiksionin e Speciales. Aksioni i bastisjes është kritikuar nga OVL-UÇK, Nisma Socialdemokrate dhe shumë ish-bashkëluftëtarë të Krasniqit.

Thaçi jep dorëheqje nga detyra e presidentit, shkak konfirmimi i aktakuzës nga Specialja

5 nëntor – Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga detyra e presidentit pasi ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Ai ka deklaruar se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës. “Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dal presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për ta mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Aktakuza e Speciales, Veseli tërhiqet nga pozitat politike

5 nëntor – Pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, kishte bërë me dije se do të tërhiqet nga të gjitha pozitat politike. “E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të Tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, kishte thënë Veseli.

Rexhep Selimi dërgohet në Hagë

5 nëntor – Bashkë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për në Hagë ka udhëtuar edhe Rexhep Selimi, gjithashtu një nga themeluesit e UÇK-së, shef i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit një ditë më parë i është konfirmuar aktakuza nga Specialja. Ai ka thënë se do të shkojë në Hagë kokëlartë. “Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do të kthehem me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shkruar Selimi në profilin e vet në “Facebook”.

Hoti i kërkon Gashit ta lirojë detyrën e shefit të AKI-së

17 dhjetor – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kreshnik Gashit që të lirojë detyrën e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Zyra e Kryeministrit Hoti nuk ka ofruar më shumë hollësi rreth kësaj kërkese. Më 25 nëntor të vitit të kaluar, Gashi ishte emëruar në këtë pozitë nga Ramush Haradinaj, i cili atëbotë mbante pozitën e kryeministrit të Kosovës. Paraprakisht, Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).

Bie qeveria Hoti

21 dhjetor – Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që Kosova të shkojë në zgjedhje. Vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme dhe kësisoj edhe qeveria Hoti nuk është më legjitime. Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër

23 dhjetor – Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë besimin e strukturave të kësaj partie për kandidat për kryeministër. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se Hoxhaj është kandidati më i mirë për ta drejtuar qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ai ka theksuar se Hoxhaj ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. “PDK-ja me kandidatin e saj për kryeministër, Enver Hoxhaj, do të konfirmohet forca më e madhe politike në vend dhe do të dëshmohet edhe një herë si e vetmja që di të qeverisë dhe në qendër të qeverisjes së saj do të jetë qytetari”, ka deklaruar Ismaili.

(Përgatiti: Muhamet KOCI / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pandemia globale Covid-19, humbja e Donald Trumpit dhe fitorja e…