
Kosova gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese
Më 15 prill, presidentja ka caktuar datën e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, plot 65 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Rreth kësaj teme, ka reaguar deputeti i zgjedhur i PDK-së, Abelard Tahiri, duke theksuar se Kosova gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese.
“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje. Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj”.
“Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurin në shoqërinë tonë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka theksuar se sanksionet e Bashkimit Evropian që rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
“Në këto kushte, formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë katër viteve të fundit është më se i domosdoshëm”.
“Kosova mundet #mamirë me një qeveri të drejtuar nga Bedri Hamza, e cila do të jetë në gjendje të adresojë efektivisht sfidat e shumta që e presin vendin. Qytetarët e Kosovës kanë folur qartë me votën e tyre. Tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”, ka shkruar Tahiri.