Kosova hap ambasadën në Portugali
Kosova për herë të parë ka hapur ambasadën në Portugali.
Kështu është bërë një shtrirje e re diplomatike në Evropë, në një shtet i cili është anëtarë i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Ditën e djeshme me anë të një ceremonie zyrtare nga shteti pritës u akreditua edhe zyrtarisht, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në shtetin portugez, Ylber Kryeziu, i cili ia ka dorëzuar letrat kredenciale, presidentit të Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa.
“Ambasadori Kryeziu i përcolli Presidentit të këtij shteti de Sousa urimet e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe përkushtimin Institucional për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve”, është thënë në komunikatën e Ambasadës së Kosovës në Portugali.
Republika e Kosovës ka vendosur të hap për herë të parë Ambasadë në shtetin portugez gjatë vitit të kaluar, veprim ky, që u mirëprit dhe vlerësua lart edhe nga autoritetet e shtetit pritës.
Portugalia e kishte njohur Republikën e Kosovës pak muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për konsolidimin e shtetit të ri dhe integrimin e tij në Organizatat Ndërkombëtare.