Kosova hap ambasadën në Norvegji, ambasadori Emra dorëzon letrat kredenciale
Kosova ka hapur Ambasadën në Oslo të Norvegjisë. Ambasadori i parë i Kosovës në Oslo, Uliks Emra të enjten i ka dorëzuar letrat kredenciale tek lartmadhëria e tij, mbreti i Norvegjisë, Harald V, duke u akredituar si ambasador fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë.
Ambasadori Emra , duke përcjellë përshëndetjet e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe popullit të Kosovës, ka falënderuar lartmadhërinë e tij, mbretin Harald V për kontributin e pakursyer dhe gjithëpërfshirës që Mbretëria e Norvegjisë i ka ofruar vendit tonë gjatë gjithë këtyre viteve.
“Mbretëria e Norvegjisë është njëra ndër vendet e para e cila e ka njohur Republikën e Kosovës, dhe për këtë populli i Kosovës do të jetë mirënjohës përjetësisht. Relacionet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyeshme, ndërsa synimi është që ato të thellohen edhe më tej në fusha specifike”, ka thënë Emra.
Ndërsa Mbreti Harald, pasi ka shprehur përshëndetjet e tij të përzemërta për presidentin Thaçi, ka theksuar se janë shumë të lumtur për vendimin e Republikës se Kosovës për hapje të Ambasadës në Oslo. Ai ka thënë se ky është një moment i veçantë në relacionet ndërmjet dy vendeve.
“Mbretëria e Norvegjisë do të vazhdojë të përkrah Kosovën në të gjitha fushat dhe për ketë mund te jeni shume te sigurt”, ka thënë ai.
Uliks Emra, ka përfunduar studimet themelore në fakultetin Juridik si dhe masterin në shkencat penale në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin në diplomaci në Universitetin e Zagrebit.
Ai është diplomat i karrierës, i cili ka kryer funksione të rëndësishme në institucionet shtetërore dhe në hierarkinë e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ai ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, zëvendësambasador në Kroaci, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, dhe sekretar në Institutin për hulumtimin e krimeve të luftës. /KK/