Kosova hap zyrtarisht ambasadën në Doha
Republika e Kosovës sot ka përuruar ambasadën në Doha, kryeqytetin e Katarit.
Ministri i Punëve të jashtme, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se kjo ambasadë e re është pjesë e përpjekjeve të tij për të zgjeruar rrjetin diplomatik të Kosovës në botë dhe forcimin e marrëdhënieve me ekonomi të fuqishme.
“Sot Kosova ka përuruar Ambasadën në Doha, Shtetin e Katarit. Kjo ambasadë do të promovojë interesat e Kosovës në një vend që ka një pozicion të rëndësishëm në ekonominë botërore. Kjo Ambasadë e re është pjesë e përpjekjeve të mia për të zgjeruar rrjetin diplomatik të Kosovës në botë dhe forcimin e marrëdhënieve me ekonomi të fuqishme”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në “Facebook”, duke treguar për ambasadat që ka hapur ai prej se është bërë ministër i jashtëm. “Në dy vitet e mia si Ministër i Punëve të Jashtme, Kosova ka hapur Ambasadën në Katar, Tajlandë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bangladesh, Norvegji dhe ne jemi në proces për të zgjeruar më tej rrjetin tonë diplomatik. Mbrojtja e sovranitetit të Kosovës dhe promovimi i investimeve janë prioritet strategjik i imi”, ka shkruar ai.
“Epoka e re”