Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb
Përdorimi i dinarit serb në veri por edhe në zonat tjera të vendit, po i shkakton dëme buxhetit të shtetit të Kosovës miliona euro, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Derisa Kushtetuta e Kosovës përcakton euron si valutë zyrtare, ekspertët vlerësojnë si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik dhe antikushtetues e ilegal përdorimin e dinarit.
Ai potencoi se institucionet financiare të vendit duhet të përdorin mekanizma për luftimin e kësaj dukurie, duke identifikuar burimet, siç janë disa banka të cilat operojnë me dinarë, dhe sasia e valutave të cilat konstatohet se janë ilegale të sekuestrohet.
“Çdo qarkullim me tendencë ekonomike dhe tregtare në Kosovë përveç euros, konsiderohet antikushtetuese. Sa i përket valutave tjera, si dinari, të cilat qarkullojnë në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës, patjetër se kjo është veprimtari ilegale dhe jokushtetuese, përderisa nuk ekziston ndonjë hapësirë apo marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, e të cilën ende nuk e kemi parë dhe nuk e kemi të njohur. Institucionet financiare si BQK-ja dhe MF-ja, me strategjitë e tyre, duhet që përmes akteve nënligjore t’i identifikojnë këto burime siç janë bankat komerciale të cilat përdorin në mënyrë antikushtetuese dhe ilegale një valutë tjetër, qoftë dinari ose ndonjë valutë tjetër. Patjetër që sasia e monedhave e cila konstatohet se është ilegale në Kosovë, duhet të sekuestrohet”, theksoi Damati.
Në anën tjetër, KosovaPress-i ka drejtuar pyetje në adresë të BQK-së, se pse ende lejohet përdorimi i dinarit serb dhe sa i kushton kjo buxhetit të shtetit, mirëpo zyrtarë nga ky institucion financiar nuk janë përgjigjur. /KP