Kosova i jep shpresë gjithë Ballkanit Perëndimor

10 mars 2022 | 21:18

Fjalimi i kryeministrit Albin Kurti në konferencën pas takimit me Ministren e Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock, të cilës i ka dëshiruar mirëseardhje, si dhe i ka uruar për detyrën e re dhe njëkohësisht janë dakorduar për shtim të bashkëpunimit:

Fjala e plotë e Kurtit:

Të nderuar gazetarë, zonja dhe zotërinj,

Unë sot jam i nderuar dhe i gëzuar me vizitën e Ministres se Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zonjën Annalena Baerbock, si dhe Përfaqësuesin Special të Qeverisë Federale Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zotërinë Manuel Sarrazin.

Kosova ka një lidhje të fortë dhe të veçantë me shtetin dhe popullin gjerman: Gjermania ka qëndruar pranë popullit tonë në momentet më të vështira. Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë që ua hapi dyert dhe zemrat refugjatëve nga Kosova. Pas luftës Gjermania ka ndihmuar fuqishëm shtetndërtimin tonë dhe tani vazhdon të na përkrahë me projekte të shumta zhvillimore në Kosovë. Mbi gjysmë milion bashkatdhetarë tanë jetojnë në Gjermani. Puna dhe veprimtaria e mërgatës sonë në Gjermani është jetike për shtetin tonë.

Ministren Berbok e falënderova për vizitën e saj në Kosovë në një kohë mjaft të tensionuar dhe të vështirë jo vetëm për rajonin tonë por për të gjithë botën demokratike. Biseduam me Ministren për situatën politike në rajon, sfidat, por sidomos për mundësitë që kemi para nesh.

E sigurova Ministren që Kosova është partner i qëndrueshëm për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian. Këtë e kemi dëshmuar edhe duke pranuar refugjatë afganë dhe po e tregojmë tani gjatë krizës së Ukrainës: I jemi bashkuar sanksioneve Evropiane dhe Amerikane kundër Rusisë, kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Gjithashtu kam informuar Ministren për punën e Qeverisë sonë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe kam treguar mbi ndikimet direkte dhe pozitive që reformat kanë pasur e vazhdojnë të kenë në performancën e ekonomisë së Kosovës.

Si Kryeministër i një qeverie të re dhe progresive kam pasur kënaqësinë të bashkëbisedojmë, sidomos për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë dypalësh, i cili është duke u intensifikuar më shumë se sa më parë. Kjo shihet sidomos në rritjen e eksportit kosovar me destinacion në Gjermani, por edhe investimet direkte të shtuara nga Gjermania në Kosovë.

Kosova është shtet evropian me një demokraci gjallëruese e cila i jep shpresë gjithë Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe kam kërkuar mbështetje në reformat tona, sidomos në punësim dhe drejtësi. Në këtë drejtim na duhet ndihmë nga Bashkimi Evropian, dhe fondet që duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, e që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, e këto vlera siç e dimë që të gjithë, janë: sundimi i ligjit, demokratizimi, përballja me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave, etj.

Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së në infrastrukturë, në energji dhe në projekte zhvillimore. Gjermania si anëtare me ndikim të madh brenda BE-së mund të na ndihmojë më shumë në këtë drejtim dhe këtë kam kërkuar nga Ministrja Berbok.

Po ashtu, e informova ministren me rolin pozitiv e pro-aktiv që Kosova po luan në çështjet rajonale, por edhe me sfidat që po has. Kosova është përkrahëse e fuqishme e Procesit të Berlinit dhe e Tregut të Përbashkët Rajonal. Në këtë drejtim jam i inkurajuar me fokusin e ri që do të marrë Procesi i Berlinit nën udhëheqjen e Kancelarit Sholz, Ministres Berbock dhe Përfaqësuesit Sarazin.

Në fushën e energjisë jam i lumtur të shoh që synimet tona përputhen veçanërisht sa i përket nevojës për të gjetur mundësi për furnizim të pavarur dhe të qëndrueshëm me energji. Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që përfshinë dekarbonizimin, ekonominë qarkore, masat kundër ndotjes, ushqim të sigurt dhe mbrojtjen e ekosistemit tonë.

Mirë se erdhe Ministre Berbok dhe tash po ua kaloj fjalën juve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës janë duke kryer një…