
Kosova i ka punët më keq se kurrë
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se me këtë qeveri Kosova i ka punët më keq se kurrë në këto vjet të ekzistencës së saj.
E gjithë kjo, sipas tij, është për fajin e qeverisë Kurti.
Në profili e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se me këtë qeveri perspektiva e Kosovës do të jetë e zymtë.
“Qeveria e Albin Kurtit e ka plandosur Kosovën nën sanksione ndërkombëtare tash e dy vjet. Korrupsionin qeveritar e ka çuar në nivelet më të larta në historinë e këtij vendi. Qindra milionë euro të humbura prej sanksioneve të BE-së. Qindra milionë euro është vlera e tenderëve njëburimorë – potencialisht korruptivë – që i ka dhënë Qeveria e Vetëvendosjes. Kushtetutën e Republikës së Kosovës e kanë shkelur pushtetarët me zell keqdashës. Ndërkohë, Kosova nuk e ka marrë asnjë njohje ndërkombëtare në këtë mandat keqqeverisës të Albin Kurtit me shokë e shoqe. Jemi më larg se kurrë prej integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar ai, duke vazhduar kritikat e tjera.
“Kjo kastë politike që e përbuz shtetin e Kosovës ka dalë e para në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit. Paradoksalisht, ky soj pushtetarësh rezultatet e votës qytetare po i merr si mbulesë për gjoja drejtësinë e politikave që e kanë katandisur keq Kosovën. Madje rezultatet e kanë trimëruar Albin Kurtin për t’i quajtur ‘hajvanat’ rivalët politikë dhe votuesit që s’e kanë pëlqyer këtë poshtërim të qytetarit të Kosovës dhe shtetit të tij. Kosova i ka punët më keq se kurrë në këto vjet të ekzistencës së vet si shtet i pavarur për fajin e Qeverisë së vet. Me një Qeveri si kjo, perspektiva e vendit tonë është e zymtë”, ka shkruar ai.