Kosova i kërkon SHBA-së mbështetje për anëtarësim të plotë në Interpol
Kosova i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara mbështetje për anëtarësim me të drejta të plota në Interpol.
Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri pati një takim me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions në Uashington ku diskutoi për këtë dhe tema të tjera.
“Për mua si ministër i drejtësisë së Kosovës ishte një takim shumë i rëndësishëm me zotin Sessions. Temat që kemi diskutuar me të kanë qenë fuqizimi i sundimit të ligjit edhe më tej në Kosovë, e kam informuar për reformat që kam ndërmarr tash e 14 muaj si ministër i drejtësisë, për angazhimin tim të përbashkët së bashku me agjencitë që janë prezente në Republikën e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç janë OBDAT, ICITAP, INL dhe një nga temat më të rëndësishme që kam kërkuar nga zoti Sessions ka qenë përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në agjendën e Interpol-it tani, pra më 20 nëntor do të mbahet takimi ku ne shpresojmë që do të jemi anëtarë me të drejta të plota si Kosovë dhe padyshim këtu kam marr një përkrahje të plotë nga zoti Sessions se SHBA do të vazhdojnë të punojnë fuqishëm edhe të sigurojnë vota tjera për Kosovën në mënyrë që të jemi anëtarë me të drejta të plota e kësaj organizate që është shumë e rëndësishme pra siç është Interpoli”, ka thënë ministri Tahiri në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Tahiri ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që t’i hapë rrugën perspektivës evropiane të dy vendeve.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë një fazë të re të bisedimeve që do të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare sepse kështu e kërkon edhe strategjia e Bashkimit Evropian që u publikua në prill të këtij viti. Pra për ne si vend është shumë e rëndësishme sepse të dyja vendet do t’i hapin perspektivë evropiane vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ministri Tahiri.