Kosova i lëshoi burgjet për kriminelët nga Danimarka, Specialja i konsideron të pasigurta për çlirimtarët

02 janar 2022 | 21:13

Çështja e lirimit nga paraburgimi në Hagë të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte ndër temat që mbajti të fokusuar opinionin përgjatë vitit 2021. Gjyqtari i procedurës paraprake ua refuzoi të gjitha kërkesat ish-themeluesve të UÇK-së mirëpo edhe të akuzuarve tjerë.

Dhomat e Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë pritet që së shpejti të nxjerrin një vendim në lidhje me lirimin ose jo të ish-themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Para disa ditësh, gjyqtari praprak ia ka refuzuar lirimin nga paraburgimi ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Disa ditë më vonë, Specialja ka bërë të ditura shkresat që Prokurori i Specializuar, Jack Smith, i ka dorëzuar në gjykatë si argumente për t’ia refuzuar lirimin ish-drejtorit politik të UÇK-së.

Në to, shihet si Smith ka marrë për referencë disa raporte të cilat shfaqin burgjet e Kosovës si jo të denja dhe jo të përshtatshme. Ky veprim i Smith vjen përkundër faktit se Kosova, konkretisht ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka arritur marrëveshje me Danimarkën për akomodimin e 300 të burgosurve nga nga ky shtet në burgun e Gjilanit.

Madje, në një fjalim të sajin, ministrja Haxhiu pas nënshkrimit të marrëveshjes i përshkruante institucionet korrektuese si “të administruara mirë” dhe kredibile.

“Republika e Kosovës është vlerësuar si palë serioze, administrimi i mirë i institucioneve korrektuese, respektimi i të drejtave të personave të privuar nga liria dhe kapacitetet e mjaftueshme janë vlerësuar edhe nga raporte kredibile”, thoshte Haxhiu.

Por kështu nuk po mendon prokurori i Speciales, Jack Smith, i cili në referencën e tij për t’ia refuzuar lirimin krerëve të UÇK-së po inkuadron citate që flasin “zi e terr” për sistemin e burgjeve në Kosovë.

Smith citon një pjesë të një raporti të Këshillit Evropian për burgjet në Kosovë, ku sipas të njëjtës pjesë të shkëputur, në sistemin korrektues të vendit mbizotëron korrupsioni dhe mos-besimi i të burgosurve.

“Nevojiten veprime të mëtejshme për të trajtuar fenomenin e korrupsionit dhe për të fituar besimin e të burgosurve në funksionimin e duhur dhe drejtësinë e sistemit të burgjeve dhe në përgjithësi, të sistemit të drejtësisë penale. Komiteti thekson në këtë drejtim se ekzistenca e një besimi të përhapur mes të burgosurve se çdo gjë mund të blihet në mënyrë të pashmangshme minon përpjekjet për të krijuar rend brenda një burgu dhe për të zhvilluar marrëdhënie pozitive staf-të burgosur. Për më tepër, korrupsioni sjell si pasojë diskriminimin, dhunën, pasigurinë dhe, në fund të fundit, humbjen e respektit për autoritetin”, thuhet në pjesën e shkëputur nga Smith.

Tutje, Smith citon edhe një artikull të “Prison-Insider”, ku sipas të njëjtit rastet e korrupsionit e kanë shkatërruar sistemin e burgjeve.

“Shpresat për një sistem të përmirësuar të burgjeve u minuan nga rastet e korrupsionit dhe lidhjet midis disa të burgosurve dhe politikanëve me ndikim”, thuhet në raportin që e ka cituar kryeprokurori Smith.

Këto shkresa që i ka dorëzuar kryeprokurori Jack Smith tentojnë të minojnë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës, në tentativë për formuluar argumente që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos lirohen nga dhomat e paraburgimit në Hagë.

Sidoqoftë, këto pretendime të kryeprokurorit të Institucionit që është i inkorporuar në sistemin kosovar të drejtësisë nuk përkojnë aspak me realitetin e proklamuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila lidhi marrëveshjen me Danimarkën për “lëshimin me qira” të Burgut të Gjilanit për kriminelët nga ky shtet.

Sipas marrëveshjes, në këtë burg pritet të vijnë të dënuar me jo më shumë se 10 vite dhe të paktën gjashtë muaj para se t’u përfundojë dënimi, shteti i Kosovës do të përfundojë procedurat që të njëjtit të transferohen në Danimarkë e më pas në shtetet e tyre respektive./lajmi.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj ka ngushëlluar familjarët…