
Kosova ia bën bllok referendumit serb, paralajmërohen dy skenarë më 16 janar
Më 16 janar të këtij viti Serbia do të mbajë referendumin e saj.
Ajo po synon që për ndryshimet në Kushtetutën e vet të marrë mendimin edhe të qytetarëve në Kosovë.
Bllok, synimit të saj, ia ka bërë Qeveria e kësaj të fundit në krye me Albin Kurtin.
E në një vijë me qëndrimin e saj janë edhe njohësit e Kushtetutës në vend.
Sipas Kadri Kryeziut, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, referendumi serb nuk duhet të lejohet brenda Kosovës, meqë organizimi i tij bie ndesh me aktin më të lartë juridik.
“Serbia është shtet në veti. Kosova është shtet i pavarur. Referendumi është për ndryshime të sistemi të drejtësisë së Serbisë. Kurti ka të drejtë që ka thënë se do ta ndalojë. Ndërhyrje Kushtetuese do të ishte nëse lejohet”, u shpreh ai.
Njëjtë mendon edhe një njohës tjetër i fushës.
Ismet Salihu, megjithatë, përmend dy skenarë me të cilët mund të përballet vendi, shkak i refuzimit.
“Trazira. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë trazira në veri shkaku i pakënaqësive nëse nuk lejohet referendumi. E dyta, mund të ketë mbajtje të referendumit ilegalisht. Nëse ndodh kështu s`do të ketë pasoja juridike për Kosovën”, theksoi Salihu për “Front Online”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pati thënë se do të përpiqet t’i bindë institucionet e Kosovës përmes Brukselit, që t’i lejojnë qytetarët serbë të votojnë.
Referendumit në Serbi për Kushtetutën, qytetarët mund t`i përgjigjen nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 20:00 në mbrëmje.
Kur bëhet fjalë për ndryshimet e propozuara në Kushtetutë, ato i referohen pjesës për drejtësinë tash për tash.