Kosova jep mesazh negativ për investitorët e huaj nëse ndërpritet marrëveshja për TC ‘Kosova e re’
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se qeveria e re së bashku me Kuvendin duhet ta ndjekin një agjendë dinamike të zhvillimit ekonomik, e cila do ta mundësojë fuqizimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Duke folur për taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, ai ka theksuar se Kosova duhet të veprojë në uniformitet sa i përket kësaj çështje. “Për shkak se tarifa është në kundërshtim me zotimet që Kosova ka dhënë me nënshkrimin e marrëveshjeve për tregti të lirë si dhe me ambiciet për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe për shkak se është kërkuar në vazhdimësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Zeka në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka pohuar se Oda Ekonomike Amerikane mbështet projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” për shkak të nevojës për kapacitete të reja energjetike për t’i plotësuar kërkesat për energji elektrike.
Ai shpreson që marrëveshja me “Contour Global” nuk do të ndërpritet. “Shpresoj se marrëveshja nuk do të ndërpritet, meqë do të humbeshin kot shumë vite të kaluara për këtë proces, por edhe për shkak se kjo do të përçonte mesazh të keq për investitorët e tjerë të huaj. Dhe krejt në fund, edhe për shkak se investitori është një kompani amerikane”, është shprehur Zeka.
Në këtë intervistë Zeka ka folur edhe për sfidat e të bërit biznes në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova ka legjislacion të mirë të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por zbatueshmëria e ligjeve ka qenë gjithmonë kërkesë me prioritet nga ana e bizneseve. “Në këtë aspekt, nevojitet fuqizimi i vazhdueshëm i kapaciteteve të administratës publike, e cila duket të jetë shpesh arsyeja për moszbatim të ligjeve, ose zbatim të gabuar të tyre”, ka deklaruar Zeka.
“Epoka e re”: Z. Zeka, si e vlerësoni klimën e biznesit në Kosovë dhe cilat janë pritjet e juaja sa i përket aspektit ekonomik në qeverinë Kurti?
Zeka: Vitin e kaluar mjedisi i të bërit biznes ka pësuar goditje të rënda për shkak të ndalimit të reformës legjislative, pjesërisht për shkak të dorëheqjes së qeverisë dhe vonesës në konstituimin e institucioneve të reja, por edhe për shkak të joefikasitetit të Kuvendit para dorëheqjes së qeverisë. Fatkeqësisht, edhe disa muaj pas konstituimit të Kuvendit agjenda legjislative s’ka lëvizur nga pika zero. Raporti i fundit i Bankës Botërore rangoi Kosovën për disa vende më poshtë. Në këtë moment, nuk besoj se raporti për vitin 2021 do të jetë më i mirë se ai i vitit të kaluar. Pritshmëritë nga kjo qeveri, sikur edhe nga çdo qeveri e re, janë të larta dhe shpresoj se pritshmëritë s’do të prodhojnë zhgënjim. Qeveria e re së bashku me Kuvendin duhet të ndjekin një agjendë dinamike të zhvillimit ekonomik, e cila do ta mundësojë fuqizimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
“Epoka e re”: Ndërkohë që kishit një vizitë në ShBA, sa janë të interesuara bizneset atje për të investuar në Kosovë?
Zeka: Nuk është fshehtësi, meqë është folur shumë tashmë për këtë, që vendi ka dështuar në promovimin e mirëfilltë të potencialeve ekonomike para investitorëve të huaj dhe rrjedhimisht ka dështuar t’i materializojë reformat në mjedisit e të bërit biznes para disa viteve me rritje të investimeve të huaja direkte. Në sytë e investitorëve të huaj Kosova është vend me perceptim jo të mirë për shkak të problemeve politike, të brendshme dhe të jashtme, si dhe për shkak të perceptimit për korrupsion të lartë. Shumë prej këtyre perceptimeve ndërtohen nga mungesa e informatave të duhura për përparimin që Kosova ka shënuar, si dhe për potencialet e shumta që u ofrohen këtyre investitorëve. Tash interesimi i investitorëve amerikanë ekziston dhe ka ekzistuar edhe në vitet e kaluara, por që nuk është realizuar edhe për shkak se institucionet përkatëse të vendit nuk kanë ditur të përgjigjen si duhet, ose janë vonuar në veprimin e tyre. Dinamika e veprimit tregon jo vetëm besueshmërinë e tyre për Kosovën, por edhe parashikueshmërinë se me çfarë mund të përballen ata në fazat e mëvonshme të operimit, pas investimit në vendin tonë. Bizneset amerikane kanë interesim të vazhdueshëm për investime në sektorin e energjisë, por edhe për sektorë të tjerë më pak të promovuar në të kaluarën, siç është i industrisë së mbrojtjes.
“Epoka e re”: Po ashtu kemi një dykuptueshmëri të koalicionit qeverisës sa i përket tarifës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Çfarë pasojash të raporteve shtetërore mund të ketë mosheqja e kësaj tarife, pavarësisht përsëritjes së përfaqësuesve të ShBA-së se duhet të hiqet?
Zeka: Kosova duhet të veprojë në uniformitet për sa i përket tarifës ndaj dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, për shkak se tarifa është në kundërshtim me zotimet që Kosova ka dhënë edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve për tregti të lirë si dhe me ambiciet për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe për shkak se është kërkuar në vazhdimësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfitimet nga tarifa në aspektin politik nuk kanë prodhuar asnjë rezultat pozitiv, ndërsa në aspektin ekonomik kanë qenë të kufizuara.
“Epoka e re”: Po ashtu, sa i përket TC “Kosova e re” akoma s’kemi deklaratë zyrtare se a do të ndërpritet marrëveshja me “Contour Global”?
Zeka: Oda Ekonomike Amerikane mbështet projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” për shkak të nevojës për kapacitete të reja energjetike për t’i plotësuar kërkesat për energji elektrike, por edhe për shkak se do të mundësonte dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”, i cili ka ndikim tejet negativ në mjedis. Shpresoj se marrëveshja nuk do të ndërpritet, meqë do të humbeshin kot shumë vite të kaluara për këtë proces, por edhe për shkak se kjo do të përçonte mesazh të keq për investitorët e tjerë të huaj. Dhe krejt në fund, edhe për shkak se investitori është një kompani amerikane.
“Epoka e re”: Por brenda LV-së kemi disa përfaqësues tani të ekzekutivit që janë shprehur kundër këtij projekti?
Zeka: Të gjitha partitë politike, e posaçërisht ato që janë pjesë e qeverisë, duhet t’i kuptojnë përfitimet nga ndërtimi i termocentralit, e çfarë është më e rëndësishmja, të demonstrojnë konsistencë ose vijimësi në qeverisje, sidomos në qeverisjen ekonomike. Nëse dikush ka pakënaqësi me dispozita të caktuara, mund t’i shfrytëzojë mekanizmat institucionalë për adresimin e atyre pakënaqësive. Vendimet nuk duhen bazuar në ideologji as partiake e as tjetër, por në analizë të hollësishme ekonomike.
“Epoka e re”: Ju kishit takim me të dërguarin special të Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell. E keni diskutuar këtë çështje?
Zeka: Në takimin e ambasadorit Grenell është diskutuar vetëm për nevojën e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila do t’i hapte rrugë tërheqjes së investimeve të huaja dhe hapjes së mundësive për zhvillim të përshpejtuar të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Por, nuk është diskutuar për projekte të caktuara investive.
“Epoka e re”: Dështimi i këtij projekti, çfarë pasojash mund t’i sjellë vendit?
Zeka: Kosova do të humbiste vite të tëra dhe resurse të tjera të cilat janë shpenzuar përgjatë viteve për përgatitjen e projektit dhe finalizimin e tij. Do të vazhdonim të përballeshim me probleme për sa i përket sigurisë së furnizimit me energji elektrike, e sidomos në të ardhmen kur kërkesat për energji elektrike mund të rriten për shkak të rritjes potenciale të investimeve të huaja, si dhe të shtimit të aktiviteteve të brendshme industriale e ekonomike në përgjithësi. Në situatë të tillë, do të thellohej më tej varësia jonë nga importet, e cila ndikon direkt edhe në faturën që qytetarët dhe bizneset paguajnë për energjinë elektrike. Krejt në fund, vendi do të vazhdonte të përjetonte nivele të larta të ndotjes për shkak të zgjatjes së jetës së kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike që përdorin teknologji të vjetruar.
“Epoka e re”: Cilat janë sfidat e të bërit biznes në Kosovë?
Zeka: Kosova ka legjislacion të mirë në përgjithësi të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por zbatueshmëria e ligjeve ka qenë gjithmonë kërkesë me prioritet nga ana e bizneseve. Në këtë aspekt, nevojitet fuqizimi i vazhdueshëm i kapaciteteve të administratës publike e cila duket të jetë shpesh arsyeja për moszbatim të ligjeve, ose zbatim të gabuar të tyre. Në vazhdimësi ka raste kur dispozita të caktuara interpretohen në mënyrë të gabuar, në disfavor të sektorit privat. Në anën tjetër, prania e korrupsionit dhe mosefikasiteti i institucioneve përkatëse për luftimin e tij janë faktorë që sfidojnë bizneset dhe gërryejnë mundësitë e një zhvillimi më të madh ekonomik. Trajtimi i kontesteve komerciale po ashtu lë shumë për të dëshiruar për shkak të kapaciteteve të kufizuara të sistemit gjyqësor, ndërsa kur flasim për kapacitetet, kjo nuk ka të bëjë vetëm numrin e gjyqtarëve, por edhe me profesionalizimin në trajtimin e kontesteve komerciale. Në këtë aspekt Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar krijimin e një Gjykate të veçantë Komerciale, e cila do t’i ndërtonte kapacitetet e duhura për trajtimin e kontesteve komerciale në mënyrë efikase.
“Epoka e re”: Çfarë ankesash kanë bërë te ju bizneset të cilat i përfaqësoni sa i përket ambientit biznesor në Kosovë?
Zeka: Komuniteti të cilin e përfaqëson Oda Ekonomike Amerikane ndan të njëjtat shqetësime nga ato të cekura më sipër. Do ta shtoja edhe praninë e madhe të ekonomisë joformale, e cila, me gjithë përpjekjet për luftimin e saj, mbetet në nivel të lartë. Kjo i pamundëson shtetit ta rrisë buxhetin, por edhe krijon mjedis të pabarabartë për bizneset që funksionojnë brenda kuadrit të ligjit. Ankesat e tjera kanë të bëjnë me vendime të pamenduara mirë dhe të padiskutuara me sektorin privat, të cilat cenojnë funksionalizimin e ekonomisë së tregut të lirë dhe operacionet e bizneseve. Së fundmi po përballemi me një iniciativë gjithnjë e në rritje të komunave të Kosovës, për ta kufizuar punën e bizneseve të dielën. Mund të tingëllojë gjykim subjektiv i Odës Amerikane, meqë përfaqëson bizneset e sektorit privat, por sinqerisht ndikimet do të ishin tejet negative për ekonominë e vendit për shkak të zvogëlimit të aktivitetit ekonomik. Bizneset do të detyroheshin t’u mbyllnin vendet e punës në një kohë kur krijimi i vendeve të reja të punës është i nevojshëm gjithkund.
Albulena S. MAVRAJ