Kosova ka bërë koncesione të papritura në Uashington
Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, ka bërë me dije se zotimet e Uashingtonit janë të dëmshme për Republikën e Kosovës.
Ai ka deklaruar se Kosova në Shtëpinë e Bardhë ka bërë koncesione të papritura.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka vlerësuar se delegacioni i Kosovës nuk është dashur të pranojë një dokument në të cilin nuk është futur asnjë pasues për njohje reciproke. “Kosova, në fakt, ka bërë koncesione të papritura në Uashington. Ka pranuar që të mos futet asnjë pasues në lidhje me njohjen e ndërsjellë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Insistimin serb për t’u hequr kjo pikë, delegacioni i Kosovës nuk ka arritur ta menaxhojë në rrafshin diplomatik. E vetmja gjë pozitive që ka ndodhur në Uashington, më 4 shtator, është njohja nga Izraeli”, ka thënë Kiçmari.
Ai ka deklaruar se delegacioni i Kosovës nuk kanë qenë i vetëdijshëm për disa lëshime që i ka bërë në Uashington. “Duke pranuar moratoriumin për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, delegacioni i Kosovës ka ndihmuar në dobësimin e pozitës së Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kam përshtypjen se anëtarët e delegacionit nuk kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë simbolike të këtij elementi shtetësie, të drejtës për aplikim në organizata ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka vlerësuar se me dokumentin e Uashingtonit nuk kemi të bëjmë me marrëveshje ndërkombëtare. “Së pari më lejoni të konstatoj se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje as bilaterale, as trilaterale dhe as ndërkombëtare. Nuk ka një dokument të nënshkruar nga të dy, përkatësisht tri palët. Hoti dhe Vuçiqi kanë nënshkruar një tekst me titullin: ‘Normalizimi ekonomik’. Ata nuk e kanë nënshkruar të njëjtin dokument, edhe pse teksti është identik, me përjashtim të pasuesit të fundit. Dokumenti i nënshkruar nga z. Hoti nuk është dërguar, dhe nuk mund të dërgohet në parlament për ratifikim sepse nuk është marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërshtetërore dhe nuk ka pasoja legale dhe as obligime ligjore”, është shprehur ai, duke shtuar se kemi të bëjmë me një akt jodetyrues.
“Pra, kemi të bëjmë me një akt joformal dhe juridikisht jodetyrues. Thjesht, fjala është për një akt politik e jo për një akt ligjor. Sa i përket rrafshit politik, varet shumë se çfarë do të ndodhë më 3 nëntor 2020 në ShBA. Në rast se presidenti Trump do të fitojë një mandat të dytë, ky dokument mund të konsiderohet edhe më tutje si material orientues pune i Administratës së ShBA-së për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në rast se në zgjedhje fiton ish-zëvendëspresidenti Biden, atëherë pres të ketë qasje tjetër, më ndryshe”, është shprehur Kiçmari.
“Epoka e re”: Z. Kiçmari, e keni kritikuar marrëveshjen në Uashington të nënshkruar më 4 shtator. Pse mendoni se është e keqe për Kosovën kjo marrëveshje?
Kiçmari: Janë një numër çështjesh të cilat më kanë shtyrë të mbaj qëndrim kritik ndaj dokumentit me titull “Normalizimi ekonomik” të nënshkruar nga kryeministri Hoti në Uashington. Përmes këtij dokumenti z. Hoti ka krijuar hapësirë shumë të madhe për depërtimin e mallrave serbe në Kosovë, ka premtuar ta mbështesë Serbinë për të depërtuar mallrat e saj në një port në Adriatik (çuditërisht pa u pyetur fare Shqipëria!), ka pranuar lejimin e përfshirjes të drejtpërdrejtë të Beogradit (për fizibilitet) në Liqenin e Ujmanit, ka mbështetur idenë e mini-shengenit (përmes së cilës lehtësohet depërtimi i mallrave serbe gjithandej në rajon), ka premtuar rënien dakord të Kosovës për ta zbatuar moratorium njëvjeçar për të mos kërkuar anëtarësim në organizatat ndërkombëtare etj. Nëse këto premtime të z. Hoti realizohen, do të ketë pasoja për të hyrat buxhetore, për shkak të një raporti të pabarabartë import-eksport me Serbinë, do të dëmtohen rëndë prodhuesit vendorë, i është premtuar Serbisë të jetë palë në një aset të rëndësishëm shtetëror, siç është Liqeni i Ujmanit dhe është dëmtuar subjektiviteti shtetëror i Republikës së Kosovës, duke pranuar moratorium kandidimi për pranim në organizata ndërkombëtare.
“Epoka e re”: Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës thonë se me këtë marrëveshje është fuqizuar ndërkombëtarisht Republika e Kosovës?
Kiçmari: Kosova, në fakt, ka bërë koncesione të papritura në Uashington. Ka pranuar që të mos futet asnjë pasues në lidhje me njohjen e ndërsjellë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Insistimin serb për t’u hequr kjo pikë, delegacioni i Kosovës nuk ka arritur ta menaxhojë në rrafshin diplomatik. E vetmja gjë pozitive që ka ndodhur në Uashington, më 4 shtator, është njohja nga Izraeli. Por, njohja nga Izraeli nuk ka asgjë të bëjë me Serbinë dhe raportet shqiptaro-serbe. Pastaj janë disa elemente bazike shtetësie që nuk duhet vënë në diskutim me askënd dhe asnjëherë: territori, organizimi i brendshëm administrativ, sistemi kushtetues dhe statusi i shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke pranuar moratoriumin për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, delegacioni i Kosovës ka ndihmuar në dobësimin e pozitës së Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kam përshtypjen se anëtarët e delegacionit nuk kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë simbolike të këtij elementi shtetësie – të drejtës për aplikim në organizata ndërkombëtare.
“Epoka e re”: A mund të bëjnë diçka qeveritë e ardhshme për të mos i zbatuar disa prej këtyre zotimeve që mund të konsiderohen të dëmshme?
Kiçmari: Së pari më lejoni të konstatoj se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje as bilaterale, as trilaterale dhe as ndërkombëtare. Nuk ka një dokument të nënshkruar nga të dy, përkatësisht tri palët. Hoti dhe Vuçiqi kanë nënshkruar nga një tekst me titullin “Normalizimi ekonomik”. Ata nuk e kanë nënshkruar të njëjtin dokument, edhe pse teksti është identik, me përjashtim të pasuesit të fundit. Dokumenti i nënshkruar nga z. Hoti nuk është dërguar, dhe nuk mund të dërgohet në parlament për ratifikim sepse nuk është marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërshtetërore dhe nuk ka pasoja legale dhe as obligime ligjore. Pra, kemi të bëjmë me një akt joformal dhe juridikisht jodetyrues. Thjesht, fjala është për një akt politik e jo për një akt ligjor. Sa i përket rrafshit politik, varet shumë se çfarë do të ndodhë më 3 nëntor 2020 në ShBA. Në rast se presidenti Trump do të fitojë një mandat të dytë, ky dokument mund të konsiderohet edhe më tutje material orientues pune i Administratës së ShBA-së për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në rast se në zgjedhje fiton ish-zëvendëspresidenti Biden, atëherë pres të ketë qasje tjetër, më ndryshe.
“Epoka e re”: Po për vazhdimin e procesit të dialogut në Bruksel, cili është vlerësimi juaj?
Kiçmari: BE-ja është gjendur në një pozitë të palakmueshme. Një lloj pozite pat në rrafshin figurativ, me iniciativën diplomatike të ShBA-së. Ajo po përpiqet ta kompensojnë këtë përmes vazhdimit të dialogut. Por, temat që i ka vendosur në tavolinë janë teknike. Nuk po është në gjendje të ndërmarrë hapin e duhur: inicimin e njohjes së ndërsjellë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Tri ditë pas ngjarjes në Uashington, z. Borrell i ftoi në Bruksel z. Hoti dhe Vuçiq. U diskutua për bashkëpunimin ekonomik dhe për personat e pagjetur. Më 28 shtator është paralajmëruar një takim tjetër, në të cilin pritet të diskutohen çështjet financiare dhe çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kam përshtypjen se diplomacia e BE-së ende po lëviz në terrenin e ineficiencës, që determinohet edhe nga fakti se pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Epoka e re”: Në këtë proces Kosova po synon ta marrë njohjen reciproke, e Serbia po synon ta marrë një asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe në Kosovë. Si e shihni epilogun e këtij procesi?
Kiçmari: Vuçiqi operon me një sintagmë tregtari në lidhje me raportet Kosovë – Serbi: “Kosova nuk mund t’i fitojë të gjitha dhe Serbia të mos fitojë asgjë”. Diplomacia jonë nuk ka qenë në gjendje t’i transmetojë në publikun ndërkombëtar fitoret e madhe që kanë realizuar serbët e Kosovës: garantimin e dhjetë vendeve në parlament, garantimin e përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, krijimin artificialisht të komunave me shumicë etnike serbe, gjuhën serbe si gjuhë zyrtare dhe të drejta të nivelit të lartë për pakicën serbe. Kosova duhet t’i shfrytëzojë më mirë këto elemente. Njohja e ndërsjellë është një imperativ kategorik për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Por, një asociacion me kompetenca ekzekutive do ta dëmtonte funksionalitetin e Republikës. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë mendimin e vet në lidhje me këtë. Delegacioni i Kosovës nuk do të duhej të hyjë në negociata antikushtetuese.
(Muhamet Koci)