Kosova ka eksportuar 132.2 GWh energji elektrike
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Bilancin i Energjisë” për TM3 2018.
Në këtë publikim janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Sipas ASK-së, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018 (TM3 2018) vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit është rreth 1.63 mijë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale është 1 178.4 GWh, si dhe në hidrocentrale është rreth 69.4 gigavat (GWh).
“Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018, Kosova ka importuar 169.3 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë Kosova ka eksportuar 132.2 GWh energji elektrike. Në tremujorin e tretë të vitit 2018, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 947.7 GËh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2017), sasia e energjisë elektrike të konsumuar është ulur për 1.2 %”, është thënë në raportin e ASK-së.