Kosova ka nevojë për më shumë unitet politik dhe vetëdije shtetërore e institucionale!
Nga: Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së
Fjalim i mbajtur në Kuvend me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Në këtë datë historike për Republikën e Kosovës, në 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, nderojmë e lartësojmë gjithë përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri. Pavarësia është vepra dhe akti që lidhë bashkë të gjithë, ata që ranë e dhanë gjithçka për këtë ëndërr, ne që patëm fatin ta jetojmë, e brezat që do të vijnë.
Vetëm tri dekada më parë, në vitet e 90-ta, një popull i tërë ishte gjendur nën aparteid shtetëror, diferencim, përjashtime nga puna, nga jeta politike, institucionale, e kulturore. Mbyllje të universiteteve, shkollave, mediave dhe zërit të lirë. Gjithçka dukej sikur kishte marrë ngjyra të zbehta, toka edhe qielli. Për të kulmuar me vitet 98-99, me luftën që la pasoja të rënda, mbi 1 milion qytetarë të depërtuar me dhunë, gjysma tjetër e ngujuar, qindra e mijëra të vrarë e të masakruar, mijëra gra të dhunuara, e pasuria tërësisht e shkatërruar.
Mbi këto, njerëzit e këtij vendi, u ngritën në solidaritet për mbijetesë, mbajtën gjallë edukimin duke i bërë shtëpitë shkolla, ndanë nga ato pak që kishin për financimin e sistemit arsimor. Në misionin e me emrin e ‘Nënës Terezë’ u ushqyen mijëra familje e u ofruan mijëra shërbime shëndetësore. Zërat e guximshëm, dokumentuan e ndanë me botën e lirë, ngjarjet e tragjeditë e familjeve. Në salla e fusha të improvizuara, u zhvilluan ngjarjet kulturore, artistike e sportive. Mërgata u bë dora e mbijetesës, fjala e Kosovës, e krahu i fortë i luftës për liri.
Nën shembullin e rezistencës, e guximit të Adem Demaçit, politikës paqësore e vizionit për ndërkombëtarizim të presidentit Rugova, demonstratat, lëvizjet, e përpjekjet, e të burgosurve politikë, intelektualëve, studentëve e një populli të tërë arritëm unifikimin për mobilizimin e një populli të tërë. Lufta për liri kulmoi me luftën e lavdishme të UÇK-së në shëmbëlltyrën e flijimit të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, frymëzim i mijëra luftëtarëve, invalidëve e dëshmorëve të rënë nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga përpjekja e një populli, mijëra fëmijë, gra, burra e të moshuar, u sakrifikuan për t’u bërë thirrja e forca e botës së civilizuar, për shpëtim me intervenimin e NATO-së të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vendet tjera që përfaqësojnë vlerat më të larta të humanizmit e demokracisë.
Mbi këtë sakrificë e këto vlera, së bashku ne ndërtuam shtetin e Kosovës, një vend në themelet e të cilit ekzistojnë dhe janë të betonuara në Kushtetutë të drejtat e avancuara të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, në një shoqëri multi-etnike e me tolerancë të lartë ndër-fetare. Një frymëzim që e kemi marrë nga shtetet demokratike e që ne qëndrojmë fort në këto vlera dhe orientim euro-atlantik, në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian, e garantues të paqes e sigurisë me anëtarësimin në NATO.
Megjithatë, në sfidat e rrugës përpara, padyshim që kemi nevojë të mbajmë fort unitetin në konsolidimin e plotë të shtetësisë. Me vendosmëri ta ruajmë e thellojmë partneritetin me ShBA-në dhe vendet evropiane, këtë e kemi obligim nga brezat që dhanë gjithçka dhe për brezat që do të vijnë.
Popull i Kosovës, urime pavarësia, urime edhe për prijësit e luftës; ish-liderët politikë e institucionalë që sot s’janë me ne. Ata po përballen me një betejë tjetër e për të cilët kemi besim të plotë, duke besuar në të drejtën tonë, dhe drejtësinë ndërkombëtare që do të na bashkohen shpejt të festojmë së bashku.
Për t’i rikujtuar të gjitha përpjekjet e aleatëve tanë, dua të citoj edhe si kujtim, por edhe motiv i përbashkët adresimin e ish-sekretares, Madeleine Albright, në dhjetëvjetorin e pavarësisë!
“Kam dëshirë të flaktë t’ju shoh se po përparoni!”.
Andaj, kjo tokë e bekuar nga Zoti, e larë me gjakun e dëshmorëve, ky shtet i ndërtuar me mund, që shumë herët djemt e vajzat më të mira i dolën zot vendit në luftën për liri, e Enver Zymeri e Afrim Bunjaku në epokën e fundit, e në partneritet me botën demokratike të udhëhequr nga ShBA-ja, meriton më shumë unitet politik dhe vetëdije shtetërore e institucionale, s’kemi vend tjetër e s’ka Kosovë tjetër, një është.
Lavdi atyre që dhanë gjithçka për liri e pavarësi! Faleminderit Amerikë dhe miq ndërkombëtarë! Kosovë, përhajr ditëlindja e 16-të e pavarësisë!