Kosova ka nevojë për një qeveri të ndershme

29 tetor 2019 | 13:18

Politologu Belul Beqaj ka thënë se ndryshimi i vogël i 6 tetorit ka krijuar shpresën e madhe. Ai ka vlerësuar se rezultati zgjedhor më shumë është pasojë e zhgënjimit në politikën e ‘komandantëve të luftës’ që kanë qeverisur kohë pas kohe edhe me zyrtarët e ‘rezistencës paqësore politike’ sesa e besimit në koalicionin e ardhshëm.

“Realisht, zgjedhjet janë fillim i perëndimit të gjeneratës së luftës dhe fillim i shansit për ta krijuar besimin gjenerata e politikëbërësve që nuk kanë qenë në pushtet. Koalicioni nuk është alternativ, por do të ishte mossukses nëse nuk dëshmohet si diskontinuitet! Realisht, e ardhmja po e mposhtë të kaluarën!”, ka deklaruar Beqaj në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Ai thënë se shteti i Kosovës ka nevojë për një qeveri të ndershme dhe, sipas Beqajt, kësaj qeverie do t’i falej çdo gjë përpos nëse sillet sikur qeveritë e mëparshme.

“Pritja tashmë po ndodhë. Qeveria racionale me 12 ministri është indikatori i parë. Shpresoj se ajo do të jetë e ndershme, kompetente dhe e krijuar në saje të meritokracisë profesionale. Kosova ka nevojë për një qeveri të ndershme. Kësaj qeverie do t’i falej çdo gjë përpos nëse sillet sikur qeveritë e mëparshme”, është shprehur Beqaj. Por, sipas tij, problemi i parë do të jetë konsolidimi i suksesshëm i kabinetit qeveritar. “Problemi i parë është konsolidimi i suksesshëm i kabinetit qeveritar, ndërsa problemi i dytë  është edhe më i vështirë. Metaforikisht do të propozoja qeverisësve të ardhshëm të mendojnë seriozisht për ta krijuar ministrinë e trembëdhjetë që do të merret vetëm me evitimin e pasojave dhe pengesave të qeveritarëve  të deritanishëm”, ka theksuar Beqaj.

Ai ka vlerësuar se binomi i ardhshëm Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ka një përparësi e cila mund të shndërrohet në të metë po qe se nuk shfrytëzohet si duhet.

“Fakti se ky binom nuk ka qenë në pushtetin e identifikuar me krim të organizuar dhe korrupsion ua jep përparësinë për fillim, por mungesa e përvojës qeverisëse, veçmas marrja me pasojat e politikës së trashëguar, mund t’i sfidojë karshi pritjeve të shtuara”, ka deklaruar Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, si e komentoni rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe formimin e institucioneve të reja?
Beqaj: Rezultati zgjedhor është më shumë pasojë e zhgënjimit në politikën e ‘komandantëve të luftës’ që kanë qeverisur kohë pas kohe edhe me zyrtarët e ‘rezistencës paqësore politike’ sesa e besimit në koalicionin e ardhshëm zgjedhor. Sidoqoftë, është ndryshim i vogël që ka krijuar shpresën e madhe. Realisht, zgjedhjet janë fillim i perëndimit të gjeneratës së luftës dhe fillim i shansit për ta krijuar besimin gjenerata e politikëbërësve që nuk kanë qenë në pushtet. Koalicioni nuk është alternativ, por do të ishte mossukses nëse nuk dëshmohet si diskontinuitet. Realisht, e ardhmja po e mposhtë të kaluarën!

“Epoka e re”: Bazuar në këtë rezultat, Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)do ta drejtojnë qeverinë e ardhshme. Nga këndvështrimi juaj, si e shihni funksionimin e koalicionit LV-LDK?
Beqaj: Binomi i ardhshëm Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ka një përparësi e cila mund të shndërrohet në të metë po qe se nuk shfrytëzohet si duhet. Fakti se ky binom nuk ka qenë në pushtetin e identifikuar me krim të organizuar dhe korrupsion ua jep përparësinë për fillim, por mungesa e përvojës qeverisëse, veçmas marrja me pasojat e politikës së trashëguar, mund t’i sfidojë karshi pritjeve të shtuara.

“Epoka e re”: Priten ndryshime thelbësore në Kosovë nga qeveria Kurti?
Beqaj: Pritja tashmë po ndodhë. Qeveria racionale me 12 ministri është indikatori i parë. Shpresoj se ajo do të jetë e ndershme, kompetente dhe e krijuar në sajë të meritokracisë profesionale.

“Epoka e re”: Cilat mendoni se do të jenë problemet dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re?
Beqaj: Problemi i parë është konsolidimi i suksesshëm i kabinetit qeveritar, ndërsa problemi i dytë është edhe më i vështirë. Metaforikisht do t’u propozoja qeverisësve të ardhshëm të mendojnë seriozisht për ta krijuar ministrinë e trembëdhjetë që do të merret vetëm me evitimin e pasojave dhe pengesave të qeveritarëve të deritanishëm.

“Epoka e re”: Ku mendoni se do të tregohet më e fortë qeveria e ardhshme? Në planin e brendshëm përfshirë sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, arsimin e shëndetësinë apo në aspektin ndërkombëtar ku përfshihen dialogu me Serbinë, agjenda evropiane dhe të tjera?
Beqaj: Kosova ka nevojë, para së gjithash, për një qeveri të ndershme. Kësaj qeverie do t’i falej çdo gjë përpos nëse sillet sikur qeveritë e mëparshme.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Inovacionit Financiar të Kosovës (SHIFK)…