“Kosova ka nevojë për qeveri të re e kryeministër të ri”, PDK dhe LDK nisin mobilizimin për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

14 shtator 2024 | 09:19

Dy partitë e  mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nisur mobilizimin për zgjedhjet e 9 shkrutit të vitit 2025.

PDK dje përmes një komunikate njoftoi se ka mbajtur mbledhjen e radhës të Kryesisë, ku kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nisur nga situata në të cilën gjendet sot Kosova, më e duhura është që vendi të bëhet me qeveri të re, siç ka potencuar ai, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme më 9 shkurt, raporton gazeta online Reporteri.net.

Po ashtu, në njoftimin e PDK-së, thuhet se Krasniqi ka njoftuar anëtarët e kryesisë me të gjitha përgatitjet që po bëhen në mobilizimin e të gjitha strukturave, brenda dhe jashtë Kosovës.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar anëtarët e Kryesisë me punën që është bërë në përpilimin e programit dhe ofertës së PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës i kanë dhënë mbështetjen e plotë Kandidatit për Kryeministër, Bedri Hamza, në raport me punën dhe programin e tij qeverisës. Partia Demokratike e Kosovës, me 9 shkurt të vitit 2025, në zgjedhjet e reja parlamentare në vend, përmes kandidatit të saj Bedri Hamza, ofertës së tij programore dhe listës së kandidatëve për deputetë, do t’i jap vendit një Qeveri të re që rikthen shtetin në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet tutje në komunikatë.

Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me deputetët e zyrtarë tjerë të partisë dje ka takuar elektoratin në Viti ku kanë bërë përurimin e zyrave të reja të partisë në këtë qytet.

Abdixhiku ka thënë se LDK është gati, është një, në këmbë dhe e fortë, shkruan Reporteri.net.

“Së bashku me mikun tim Sokolin, në hapjen e zyreve të reja aty. Ishim mes veprimtarëve e veprimtareve me përplot entuziazëm e gatishmëri – për veprim, për Lidhjen për vet Republikën! Na pret një fushatë e bukur përpara. Jemi gati dhe jemi një! Dhe një gjë është e sigurtë që tani – të djathtit e LDK-së janë bashkë, të fortë dhe në këmbë! Kushtrimi po bie në Kosovë!” shkroi Abdixhiku në Facebook.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me “shkronjat e kuqe të ndezura” është shkruar në histori…