Kosova ka përfituar 5 milionë euro nga pakoja e BE-së, do të përfitojë sërish

19 maj 2020 | 08:19

Nga Samiti i Zagrebit, i cili për shkak të pandemisë u zhvillua në mënyrë virtuale, u nxor një dokument i përbashkët nëpërmjet të cilit konfirmohet edhe një herë përkushtimi i BE-së për perspektivën evropiane të rajonit si dhe përkushtimin e këtyre vendeve për një të ardhme evropiane.

Në lidhje me këtë samit, zëvendësministri në detyrë i Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu, për Ekonomia Online ka thënë se në këtë samit është miratuar pakoja prej 3.3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se Kosova veçse ka përfituar 5 milionë euro.

“Po, realisht, edhe Samiti i Zagrebit që u mbajt më 6 maj, kryefjalë e kishte çështjen menaxhimin e pandemisë COVID-19, e cila e ka kapluar tërë globin dhe masat që i ka propozuar të ndihmës Bashkimi Evropian, sa iu përket vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është një pako prej 3.3 miliardë eurosh, e cila u është ndarë vendeve të Ballkanit dhe, po ashtu, asistenca makro-financiare prej 750 milionë eurosh.

Në kuadër të institucioneve tona, ne veçse i kemi marrë 5 milionë euro të cilat janë bërë si rezultat i letërkëmbimit që ka ndodhur ndërmjet Ministrisë së Integrimit dhe Zyrës së BE-së për blerjen e mjeteve shëndetësore në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka treguar Kryeziu.

Numri dy në Ministri të Integrimit ka thënë se Kosova do t’i përfitojë edhe me 50 milionë euro, por për ndarjen e tyre do të diskutohet me Zyrën e BE-së në Kosovë.

“Është diskutuar edhe për 50 milionë tjera të cilat do të jepen si ndihmë sektorit privat dhe buxhetit të vendit, mirëpo për modalitete, për formën se si do të realizohen në formë të projekteve, janë çështje të cilat do të diskutohen me Zyrën e BE-së në Kosovë.

Janë miratuar 100 milionë euro asistencë makrofinanciare në prill nga ana e Komisionit Evropian, mirëpo nevojitet edhe një votim nga ana e Kuvendit, marrë parasysh marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ku Kosova kualifikohet për ta marrë këtë asistencë, e cila ka për qëllim për ta ndihmuar buxhetin ku ka një gjendje të tillë”, ka thënë Kryeziu.

Teksa ka folur për këtë Samit, Kryeziu ka thënë se pika 9 e ka një konfirmim të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. “Po ashtu, pikë e veçantë është pika 9, ku flet për një marrëveshje detyruese gjithëpërfshirëse, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, pra një rikonfirmim i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, një afirmim i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që ka të bëjë me ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës”, ka thënë Kryeziu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se…