Kosova ka shënuar ngecje me qeverinë Kurti

04 prill 2022 | 12:56

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer me qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Haxhiu ka thënë se për shkak të këtij zhgënjimi qytetarët  janë duke e lëshuar Kosovën. “Qytetarët janë zhgënjyer me këtë qeveri, prandaj po ikin nga Kosova”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se Kosova ka shënuar ngecje në të gjitha fushat prej që Albin Kurti është duke e udhëhequr vendin.  Sipas Haxhiut, Kosova është ballafaquar me kriza të njëpasnjëshme gjatë qeverisë Kurti.

Në këtë kontekst, Haxhiu ka përmendur krizën me energjinë elektrike, duke e akuzuar Kurtin për rritjen e çmimit të energjisë. “Një vit regres në të gjitha sferat! Një vit i krizave të njëpasnjëshme në të cilin qeveria nga institucion ekzekutiv ka pasur vetëm rol të vëzhgueses. Një dekadë nuk ka pasur shtrenjtim të  rrymës, ndërsa për një vit të qeverisjes Kurti kthehen reduktimet dhe bëhet dyfishim i çmimit të rrymës. Në opozitë premtonte lirim të energjisë elektrike, ndërsa sot e shtrenjton energjinë elektrike”, ka deklaruar Haxhiu.

I pyetur në lidhje me punën e partive opozitare në raport me qeverinë Kurti, Haxhiu ka pranuar se opozita nuk ka qenë mjaft aktive.

Këtë aktivitet Haxhiu e ka ndërlidhur edhe me fuqinë e numrave në Kuvendin e Kosovës. Haxhiu ka thënë se strategjia e opozitës është që qytetarët ta shohin se janë mashtruar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Opozita nuk ka qenë shumë aktive  për faktin se kjo qeveri ka pushtetin absolut, por le të binden qytetarët se janë mashtruar nga Albin Kurtit dhe fryma që ai ka ndërtuar si opozitar”, është shprehur Haxhiu.

Më tutje,  deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur edhe për inicimin e ndryshimit të Ligjit për Trustin për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të tyre.

Ai ka thënë se mundësia e tërheqjes së mjeteve nga Trusti ka qenë kërkesë e qytetarëve të Kosovës.

Në këtë kontekst, deputeti Haxhiu ka thënë se beson se kjo iniciativë e tij do të përkrahet edhe nga deputetët e shumicës parlamentare.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të pushtetit që të votojnë pa imponime politike.

“Unë kam proceduar një kërkesë të qytetarëve për mundësinë e tërheqjes së 30-përqindëshit të Trustit. Në Kuvend të gjithë jemi përfaqësues të qytetarëve dhe e kemi obligim t’i mbështesim kërkesat e tyre. Besoj shumë se deputetët e pozitës do të votojnë me integritet dhe pa imponime politike”, është shprehur Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Beogradi do të ketë pushtetin demokratik, pa Aleksandër Vuçiqin, SPS-në,…