Kosova kërkon fitore ndaj Azerbajxhanit

20 shkurt 2025 | 10:34

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të zhvillojë dy ndeshje shumë të rëndësishme për parakualifikimet për FIBA Kupën e Botës 2027.

“Dardanët” ndeshjen e parë do të zhvillojnë sonte (e enjte) nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë ndaj Azerbajxhanit. Para këtyre dy ndeshjeve vendimtare për Kosovën ka folur basketbollisti i Kosovës, Gëzim Morina, i cili ka paralajmëruar se “dardanët” do ta japin maksimumin për të shënuar fitore ndaj Azerbajxhanit.

“Që nga e diela jemi grumbulluar këtu në Prishtinë. Rëndësi të madhe ka se nuk jemi përballur me lëndime dhe kësaj radhe jemi të kompletuar. Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Azerbajxhanit, por ne do ta japim maksimumin që të fitojmë dhe t’i mbajmë gjallë shpresat për kualifikim. I ftojmë të gjithë që të vijnë dhe të na përkrahni, pasi me ndihmën tuaj gjithçka është e mundur”, ka thënë Morina.

Ndeshjen e dytë në këtë muaj Kosova e zhvillon më 23 shkurt ku do të përballet me Kombëtaren e Zvicrës. Edhe ndeshja e dytë zhvillohet nga ora 19:30. Para dy ndeshjeve mjaft të rëndësishme ka folur edhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha.

Ai i ka ftuar tifozët “dardanët” që të jenë në numër të madh në sallë për ta përgatitur Kosovën drejt rezultateve pozitive.

“Përgatitjet kanë shkuar mirë. Jemi përgatitur nga dy herë në ditë. I kemi dy ndeshje me rëndësi dhe të vështira dhe besoj se ‘dardanët’ do ta mbushin sallën dhe të na mbështesin pasi kemi nevojë të madhe. Motivin e kemi maksimal dhe dihet për çka po luajmë dhe kënd e prezantojmë. Ftoj tifozët që ta mbushin sallën dhe bashkë t’i festojmë rezultatet pozitive”, ka thënë Berisha.

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, edhe Federata e Basketbollit ka bërë thirrje për përkrahje sa më të madhe: “Kjo është një sfidë shumë e rëndësishme, pasi dardanët kanë nevojë për përkrahje nga tifozët në rrugën e kualifikimit”.

Kosova deri tash ka zhvilluar katër ndeshje, ku ka regjistruar një fitore dhe tri humbje. “Dardanët” renditen në vendin e katërt me pesë pikë, aq sa ka edhe Azerbajxhani në vend të tretë.

Në vendin e dytë është Irlanda më gjashtë pikë, kurse Zvicra e kryeson grupin me tetë pikë të grumbulluara.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Genc Prevukaj sipas të dhënave të fundit nuk arriti të…