Kosova kërkon fitore ndaj Moldavisë për të mbetur në Ligën C
“Dardanët” presin fitore sonte ndaj Moldavisë në “Fadil Vokrri”, në mënyrë që të mbesin në Ligën C dhe t’i rikthehen rezultateve pozitive.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e mërkurë) do të zhvillojë ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë. Synim i “dardanëve” në këtë ndeshje është fitorja në mënyrë që të sigurohet mbetja në Ligën C.
Kështu ka bërë me dije trajneri Muharrem Sahiti, i cili e drejton Kosovën në mungesë të Bernard Challandesit. “Ka qenë vit i vështirë, por kemi fituar përvojë. E kemi ndeshjen e fundit ku synojmë të qëndrojmë në Ligën C. Do ta presim shortin në dhjetor, duhet të bëhemi gati për ciklin kualifikues. Mendoj se jemi penalizuar më së shumti, por tash gjendja e lojtarëve është e mirë. Paraqitja ndaj Sllovenisë na ka ngritur moralisht, ndaj Moldavisë jemi favorit. Por, kjo nuk duhet të jetë bazë por të përqendrohemi maksimalisht për ta synuar fitoren”, ka thënë Sahiti.
“Nuk jemi të kënaqur me rezultatet dhe duhet të punojmë për t’u kthyer vetëbesimi dhe ne duhet ta kemi të qartë që nuk jemi prej atyre më të fortëve, pasi çdo mungesë ka qenë e madhe për ne. Po besoj se shumë shpejtë dhe qysh nga e mërkura të organizohemi”, ka shtuar Sahiti. I pranishëm në konferencë para ndeshjes për ndeshjen me Moldavinë ishte edhe mesfushori Herolind Shala. Ai ka vlerësuar se Kosova është favorite në këtë ndeshje dhe se synon t’i rikthehet fitoreve. “Besoj që treguam kualitet dhe lojë të mirë me Slloveninë, por nuk kishim fat. Nesër jemi favorit në shtëpinë tonë, e dimë se Moldavia mund te na shkaktojë probleme por ne luajmë për fitore. Normalisht që nuk kemi arrit fitore që shumë ndeshje është problem, por kemi besim tek stafi teknik dhe tek njeri-tjetri andaj nesër duhet të dalim në fushë si ekip dhe të rikthehemi tek rezultatet pozitive”, ka thënë Shala. Ndeshja në mes Kosovës dhe Moldavisë zhvillohet sonte (e mërkurë) nga ora 20:45 në stadium “Fadil Vokrri”.
(V.Z / Epoka e re)