
Kosova kërkon fitore në miqësoren kundër Jordanisë
Futbollistët “dardanë” e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes miqësore kundër Jordanisë, e cila zhvillohet sot nga ora 18:00. Kosova pret që ta mbyllë vitin me fitore, fillimisht në miqësore, pastaj edhe në ndeshjen e fundit kualifikues kundër Greqisë në Athinë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sot (e mërkurë) zhvillon ndeshjen miqësore kundër Jordanisë. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse më 14 nëntor “dardanët” e zhvillojnë përballjen e fundit në kualifikimet për Kupën e Botës, “Qatar 2022” ndaj Greqisë. Për miqësore foli mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, i cili ka thënë se është një ndeshje e rëndësishme për të krijuar një atmosferë pozitive. Ai foli edhe për ndeshjen kualifikuese kundër Greqisë, për të cilën vlerësoi se është e vështirë, por kërkohet rezultat pozitiv.
“Miqësorja është e mirë , ku mundemi të krijojmë një atmosferë të mirë brenda ekipit me trajnerin e ri, pastaj ndeshja e fundit për kualifikime me Greqinë do të jetë pak e vështirë, pasi që ata do të jenë vendas. Më e rëndësishmja për ne është rezultati pozitiv dhe krijimi i një atmosfere për një nismë të re te Kosova”, ka thënë Berisha. Për dy ndeshjet e fundit për këtë vit foli edhe David Domgjoni, i cili ka deklaruar se synim i “dardanëve” është mbyllja e vitit me maksimumin e pikëve. “Me trajnerin e ri kemi filluar të mendojmë për dy ndeshjet e radhës që shpresojmë të marrim maksimumin. Jemi të motivuar dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë mes ka thënë Domgjoni.
Federata e Futbollit të Kosovës konfirmoi se për këtë ndeshje Kosova do të këtë tri mungesa, kurse në pikëpyetje është Zymer Bytyqi. “Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e fundit me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati e Bersant Celina me kërkesën e tyre, për shkak të situatave respektive në klubet e tyre, janë liruar nga obligimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Nga e hënë kanë dalë në shitje biletat për miqësoren ndaj Jordanisë, kurse edhe në këtë ndeshje, në bazë të masave kundër Covidit të Qeverisë së Kosovës, do të lejohet shfrytëzimi 30 për qind i kapacitetit të stadiumit. Të martën të dyja skuadrat përfaqësuese kanë zhvilluar stërvitjet e fundit për ndeshjen e së mërkurës, e cila fillon nga ora 18:00.
/Epoka e re/