Kosova i kërkon Omanit vendosjen e marrëdhënieve diplomatike
Ministri i Jashtëm i vendit, Behgjet Pacolli, ka kërkuar sot që Kosova dhe Omani të vendosin marrëdhënie diplomatike.
“Kosova i është mirënjohëse Sulltanatit të Omanit për njohjen e Kosovës si shtet të Pavarur dhe Sovran, por në mënyrë që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve, Republika e Kosovës dhe Sulltanati i Omanit duhet të vendosin marrëdhënie diplomatike si hap i parë në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli, gjatë një takimi që ka zhvilluar sot në Prishtinë me Ambasadorin e Sulltanatit të Omanit, në Londër, Sheik Abdulaziz bin Abdullah bin Zahiri Al-Hinai.
Ky i fundit ishte caktuar nga Qeveria e tij të marrë pjesë si mysafirë në shënimin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“I kërkova Ambasadorit të Sulltanatit të Omanit, që bashkëpunimi mes dy vendeve të arrijë një nivel më të lartë, duke filluar me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Ministri Pacolli, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Institucioneve të Kosovës që të rrisin bashkëpunimin ndër-shtetëror.
Nga ana e tij, Ambasadori i Omanit Al Hinai, i përcolli ministrit Pacolli, urimet e Sulltanit të Omanit për dhjetëvjetorin e Pavarësisë dhe shprehu gatishmërinë për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dhe ato qeveritare.