Kosova kërkon që BE-ja t’i bëjë presion Serbisë në procesin e dialogut
Institucionet e Kosovës vazhdojnë të tregojnë gatishmëri të plotë për vazhdimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në Bruksel.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të ushtrojë ndikim tek pala serbe për t’i eliminuar vonesat dhe pengesat në këtë proces.
Në anën tjetër, opozita ka vlerësuar se duhet të ndryshojë dinamika e këtij procesi. Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë për “Epokën e re” se Kosova synimet e saj mund t’i realizojë vetëm përmes procesit të dialogut.
“Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun duke e konsideruar të vetmin instrument politik me të cilin realizohen synimet dhe pritjet tona. Do të donim të besonim që edhe pala tjetër ta ketë plotësisht dhe sinqerisht të njëjtin qëndrim”, ka thënë ai, duke shtuar se BE-ja duhet ta ushtrojë ndikimin e saj ndaj Serbisë në këtë proces. “Janë tema që kërkojnë zgjidhje dhe të gjitha zgjidhjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Edhe vonesat dhe pengesat, sidomos të palës tjetër, përbëjnë problem në vete dhe këtu do të donim që BE-ja ta ushtronte sa më efektshëm rolin dhe ndikimin e vet”, ka thënë Stavileci.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)