Kosova kërkon të vendoset bashkëpunim me EUROJUST

03 dhjetor 2020 | 12:22

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në takimin e parë bilateral dhe virtual mes Republikës së Kosovës dhe EUROJUST.

Në komunikatën  për media të ministrisë është thënë se në këtë takim virtual, i cili kryesohej nga presidenti i EUROJUST, Ladislav Hamran, ministri Selimi ka treguar se sa e rëndësishme është vendosja e bashkëpunimit mes EUROJUST dhe Republikës së Kosovës.

“Natyrshëm rrjedh se ekziston një nevojë e domosdoshme, për EUROJUST dhe Republikën e Kosovës për të vendosur bashkëpunim si partnerë strategjikë, në mënyrë që të forcojmë rrjetin tonë në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare. Autoritetet gjyqësore kosovare shpresojnë të përfitojnë nga mjetet praktike të bashkëpunimit të ofruara përmes EUROJUST, nga lehtësimi i ndihmës së ndërsjellë juridike, përdorimi i instrumenteve të njohjes reciproke dhe koordinimi i çështjeve penale”, ka thënë Selimi.

Selimi ka shprehur vullnetin e plotë të institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes shtetit të Kosovës dhe EUROJUST. “I nderuar president Hamran, kujtoj që EUROJUST tashmë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me të katër vendet fqinje të Kosovës. Bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë shkon përtej politikës. Kosova me hapjen e këtij bashkëpunimi do të jetë pjesë e EUROJUST dhe një hap para integrimit euroatlantik. Vendosja e bashkëpunimit me Kosovën gjithashtu, do të prodhonte rezultate më efektive dhe të qëndrueshme në luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar në rajon. Prandaj, unë shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur interesimin tonë për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për të përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi midis EUROJUST dhe Kosovës, e cila do të vendoste bazat për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët për drejtësi dhe siguri”, ka thënë Selimi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, në fjalën e tij…