Kosova kërkon tri pikë ndaj Malit të Zi

07 qershor 2019 | 10:11

Pavarësisht se Përfaqësuesja e Kosovës është mysafire e Malit të Zi në Podgoricë, po synon t’i marrë pikët e plota në këtë ndeshje.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e premte) e zhvillon ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2020”. “Dardanët” janë mysafirë të Malit të Zi, kurse synimi i tyre është rikthimi nga Podgorica me tri pikë të plota. Sulmuesi në topformë, Vedat Muriqi, ka thënë se respekti për kundërshtarin nuk mungon, por që synim i Kosovës është fitorja. “Jemi një grup i bashkuar dhe kemi besim në arritjet tona. Ne e respektojmë kundërshtarin, por do ta japim maksimumin dhe jemi këtu për të fituar. Edhe ne kemi shumë mungesa nga ndeshjet e kaluara. Shumë respekt për Saviqin. Pa marrë parasysh që ai mungon, është bashkëqytetari i vet që do të zëvendësojë, por ne do të japin 100 për qind në këtë ndeshje për të fituar”, ka thënë Muriqi, i cili ka shprehur haptas dëshirën që kjo ndeshje të zhvillohej me shikues.

Në konferencë për medie foli edhe trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes. Strategu zviceran  tregoi se Florent Hadergjonaj është i gatshëm për këtë ndeshje derisa mesfushori i Viking Stavenger, Ylldren Ibrahimaj dhe mbrojtësi i Hereenvenit, Ibrahim Dresheviq, nuk do të luajnë për shkak se ende nuk janë kompletuar dokumentacionet. “Dresheviq dhe Ibrahimaj nuk do të paraqiten pasi që ende nuk është kompletuar dokumentacioni i FIFA-s, kurse për Hadërgjonajn është gati për të luajtur”, ka thënë Challandes.

“Nuk më pëlqen të luaj pa shikues. Besoj se edhe futbollistëve nuk u pëlqen. Do të ishte më mirë të kemi shikues edhe nëse do të na kishin vërshëllyer gjatë gjithë kohës”, ka shtuar Challandes.

Për ndeshjen ndaj Kosovës foli edhe trajneri serb i Malit të Zi, Ljubisa Tumbakoviq. Ai ka treguar se i kanë analizuar të gjitha ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve dhe ndeshjen me Bullgarinë, por ka konfirmuar se Mali i Zi do të sulmojë që në fillim.

“Ne i kemi analizuar të gjitha ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve, ndeshjet miqësore, por edhe ndeshjen ndaj Bullgarisë. Ata luajnë me presion të lartë, kanë lojtarë të mirë, por ne do t’i sulmojmë. Ata nuk kanë pësuar humbje që 12 ndeshje. Ne nuk kemi rezultate të tilla, por kemi luajtur një ndeshje të mirë kundër Bullgarisë, sikurse edhe 60 minuta të mira kundër Anglisë. Synimi i tyre mund të jetë motiv shtesë për neve”, ka thënë Tumbakoviq, i cili më pas refuzoi të tregojë se a do të luajë sulmuesi nga Kosova, Fatos Beqiraj. “Nëse starton Beqiraj, ai do të jetë kapiten. Por, nuk kam vendosur ende nëse ai do të luajë”, ka shtuar ai.

Grupi A

20:45 Republika Çeke – Bullgaria
20:45 Mali i Zi – Kosova

Grupi B

20:45 Lituania – Luksemburgu
20:45 Ukraina – Serbia

Grupi D

18:00 Gjeorgjia – Gjibraltari
20:45 Danimarka  – Irlanda

Grupi F

20:45 Ishujt Faroe – Spanja
20:45 Norvegjia – Rumania
20:45 Suedia – Malta

Grupi G

20:45 Austria – Sllovenia
20:45 Maqedonia e Veriut – Polonia
20:45 Latvia – Izraeli

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka marrë pjesë në…