Kosova: Kosova gati për evropianin e hendbollit
Trajneri i Kombëtares U18 të Kosovës në hendboll, Fadil Kqiku, është i kënaqur me punën që bën Kombëtarja U-18, e cila sonte (e mërkurë) merr rrugë për në Austri, ku do të paraqitet në Kampionatin Evropian, Divizioni B.
U18 ka luajtur dy ndeshje stërvitore ndaj Malit të Zi. Në ndeshjen e parë pësoi humbje me rezultat 32:29, kurse në të dytën dallimi në rezultat ishte më i madh 30:18. “Ne patëm dy lojë miqësore që ishin të mirëseardhura për ne si shtab teknik dhe, po ashtu, për lojtarët. Provuam disa gjëra në mbrojtje dhe sulm. Ishin dy rezultate të kundërta, që edhe është pritur shkaku i lodhjes dhe përgatitjes fizike. Jam i kënaqur me të dy ndeshjet, pasi provuam gjëra të reja dhe fituan rastin të gjithë 18 lojtarët që i kemi në grumbullim”, ka thënë trajneri Kqiku.
Kosova në Austri do të ketë përballë kombëtare të forta evropiane dhe trajneri Kqiku është i vetëdijshëm që pritjet nuk janë të mëdha nga gjenerata që është në konsolidim e sipër. U18 më 10 gusht luan ndaj Holandës, kurse më 11 gusht takohet me Sllovakinë e më pas me Letoninë, Austrinë e Bullgarinë, para se t’i zhvillojë ndeshjet për plasman. “Do të punojmë dhe të mundohemi që në evropian të paraqitemi sa më mirë”, ka deklaruar Kqiku.
/Epoka e re/